Pozicioni gjeografik
Qyteti i Korçës është një nga qendrat më të mëdha dhe më të rëndësishme të zonës juglindore të Shqipërisë.Korça karakterizohet nga një klimë kontinentale, me dimër të ftohtë dhe me verë të nxehtë. Temperatura mesatare vjetore arrin deri në 10,6 0C. Muaji më i ftohtë është Janari dhe muaji më i nxehtë është Gushti. Muaji më i lagësht është Nëntori me reshje shiu mesatarisht 104,9mm.Qyteti i Korçës është i vendosur në një lartësi prej 850 m mbi nivelin e detit dhe është një nga qytetet me vendndodhjen mesatare më të lartë në Shqipëri. Korça, si rajon, është e rrethuar nga një numër i konsiderueshëm kodrash dhe malesh. Në lindje qyteti kufizohet me malin e Moravës dhe në perëndim me zonën e Gorës, Voskopojës dhe Vithkuqit, të cilat janë zonat më malore. Në jug ndodhet Mali i Qarrit dhe në pjesën veriore është Mali i Thatë. Zona e Korçës është e pasur me burime nënujore, lumenj, ku më i rëndësishëm është lumi i Devollit. Në këtë zonë gjenden burimet e tre lumenjve të Shqipërisë (Devoll, Shkumbin dhe Osum).
Historiku i qytetit
Pozicioni dhe konfigurimi gjeografik si dhe klima e favorshme kanë ndikuar që Korça të konsiderohej si një nga qendrat më të admirueshme, duke filluar që nga periudha prehistorike, gati 6.000 vjet para erës sonë.
Nga pikëpamja ekonomike, Korça ka qenë një nga qendrat më të rëndësishme të rajonit, nga ku zhvillohej tregtia e prodhimeve bujqësore me vendet e tjera. Çelësi i zhvillimit ekonomik të qytetit të Korçës ka qenë pazari i saj, ku njerëzit mund të gjenin me lehtësi punime dore të ndryshme dhe prodhime bujqësore. Në pazarin e Korçës kanë ekzistuar rreth 1.000 dyqane të ndryshme deri nga mesi i shek. 19.
Gjatë shekullit të 19-të, popullsia e qytetit të Korçës u rrit nga 3.000 në 15.000 banorë të ndarë në 14 lagje. Në vitin 1870, Korça u bë Prefekturë, e cila kishte nën juridiksion Bilishtin, Kolonjën dhe Kosturin.
Gjysma e parë e shek. 20 shënoi një zhvillim të madh dhe të shpejtë për Korçën, ku u ndërtuan godina të reja gjatë viteve ’20-’30. Në vitin 1923, u hap Fabrika e duhanit, në periudhën 1925-’26 u ndërtuan më shumë se 200 dyqane, u hapën Kinema Luks (1926) e më pas Kinema Majestik, Fabrika e lëkurës (1929), etj. Në vitin 1923, Korça kishte një popullsi prej 25.598 banorë.
Popullsia
Popullsia e qytetit të Korçës për vitin 2004, numëronte rreth 84.000 banorë, me një ndarje pothuajse të njëjtë të femrave dhe meshkujve. Në një analizë të vitit 2004, vihet re që numri popullsisë "hyrëse" në qytet është më i madh se ai "dalëse". Kjo tregon për një tendencë shtimi të qytetit, me gjithë rënien e menjëhershme që pësoi pas vitit ’90 prej migrimit brenda vendit dhe jashtë shtetit të shumë familjeve korçare.
Zhvillimi urban
Qyteti i Korçës shtrihet në rrëzë të Malit të Moravës dhe të kodrave përreth tij. Sipërfaqja e qytetit brenda vijës së verdhë, sipas Planit Rregullues të qytetit të Korçës, të miratuar me vendim të KRRTSH-së Nr 3, datë 04.02.1994, është 1.530 ha, në shtrirje veri-jug 5,4 km dhe lindje-perëndim 3,2 km.
Pjesa më e madhe e ndërtimeve janë ndërtime të ulëta deri në tri kate, ndërsa zona me ndërtime relativisht të larta shtrihet përreth lagjeve të vjetra të qytetit. Maksimumi i lartësisë në ndërtimet e reja arrin në 10-11 kate. Brenda qytetit të Korçës ka 345.000 m2 rrugë, nga të cilat 120.000 m2 janë rrugë të asfaltuara dhe 225.000 m2 janë rrugë të paasfaltuara. Pjesa më e madhe e zonës ekzistuese së banimit shtrihet në terren me pjerrësi në drejtimin lindje-perëndim duke kaluar në fushë në pjesën perëndimore, ku është parashikuar shtrirja e qytetit edhe në perspektivë. Në këtë pjesë përfshihet një sipërfaqe e madhe toke bujqësore e destinuar për t’u kthyer në truall ndërtimi. Një pjesë e saj është zënë me ndërtime pa leje në zona pa asnjë lloj infrastrukture, kryesisht nga popullsia fshatare që vendoset në qytet, pasi edhe kostoja e ndërtimit në këto zona është relativisht më e ulët se kostoja e ndërtimeve në zonat me pjerrësi. Për këtë arsye, është ruajtur peizazhi i qytetit në lidhje me kodrat.
Ndryshimet e mëdha sociale të ndodhura në Shqipëri në periudhën e fundit, e gjetën të papërgatitur qytetin nga ana urbanistike, gjë që solli rritjen e problematikës lidhur me zhvillimin urban të qytetit. Kështu, nga një zhvillim i planifikuar dhe i mbajtur gjithmonë nën kontroll, ky zhvillim urban filloi të dalë nga kontrolli në përmasa të pallogaritshme.
Një nga arsyet kryesore ka qenë lëvizja e lirë e njerëzve, e cila solli si pasojë dyndjen e njerëzve nëpër qytete, të cilët, për të siguruar kushtet e nevojshme të jetesës, kryen ndërtime të jashtëligjshme pa kritere urbanistike, duke krijuar kështu zona informale. Të tilla janë zonat tek ish SMT-ja, ish NB Korça, tek rruga e Ersekës. Në këto zona bëhet i vështirë disiplinimi i ndërtimeve dhe krijohen vështirësi të mëdha në lidhje me infrastrukturën inxhinierike (rrugë, ujësjellës, kanalizim, elektrik, telefon, etj).
Shkatërrimi i industrisë bëri që të ndryshojë koncepti për zonat industriale të mirëfillta. Një pjesë e ndërmarrjeve joefektive, që pushuan së prodhuari u përshtatën për degë të tjera të industrisë (për prodhime konfeksionesh, pijesh dhe punime artizanale) ose u kthyen në depo e magazina për zhvillimin e tregtisë. Duhet theksuar, se, në një masë mjaft të madhe një pjesë e objekteve industriale, u përshtat për banim, duke ndryshuar tërësisht funksionin e zonës industriale.
Ndërtimet e reja me karakter industrial si prodhime pijesh, përpunimi dhe prodhimi i produkteve ushqimore, punimet e drurit e të mermerit, në pjesën më të madhe janë zhvendosur në distancë nga qyteti, jashtë vijës së verdhë të tij, përgjatë rrugëve ndërurbane të rëndësishme, duke shfaqur tendencën e krijimit të zonave të reja industriale jashtë qytetit.
Ndërtimet brenda zonës ekzistuese të banimit kanë përmirësuar kushtet aktuale të banimit, duke shtuar rrezikun e shkatërrimit edhe të vlerave të kulturës e të arkitekturës.
Pjesa e kodrave që përfshihet brenda vijës së verdhë të qytetit dhe që përbën parkun periferik të qytetit, ishte mjaft e gjelbëruar, por në periudhën e tranzicionit u dëmtua nga prerjet e shumta. Për të rehabilituar gjelbërimin e kësaj zone nga Ndërmarrja e Shërbimeve Publike si dhe nga vetë qytetarët dhe biznesi, këto pesë vitet e fundit janë mbjellë mjaft pemë, duke i kthyer disi gjelbërimin kësaj zone, i dobësuar për shkak të dëmeve të mëdha të sjella nga këto shkatërrime. Pjesa e kodrave, që dikur ka qenë e gjelbëruar, sot në pjesën më të madhe i është kthyer ish-pronarëve dhe krijon vështirësi për gjelbërimin e tyre.
Shtimi i sipërfaqeve të gjelbra në qytet është një nga prioritetet e Bashkisë. Në këtë kuadër janë hartuar plane për ndërtimin e një parku të ri dhe synohen ndërhyrje në zona të reja banimi ku mungon gjelbërimi.
Rrjeti i kanalizimeve
Rajoni i qytetit të Korçës ka mjaft rezerva ujore, ai shquhet për ujëra nëntokësore të shumta. Vetë baseni ujor ka formën e një govate, me shtrirje nga jugu në veri, e kufizuar, në verilindje, me vargun e Malit të Thatë, në lindje me vargmalin Moravë – Mali i Kuq, në jug me vargmalin Qarr – Bellovodë – Dërsnik dhe në perëndim me vargmalin Voskop – Kolanec – Gorë.
Qyteti i Korçës furnizohet me ujë 24 orë në ditë nga puset e Turanit, përkatësisht nga puset 501, 502, 504, 505, me një kapacitet 280 litër/sek. Qyteti i Korçës furnizohet nëpërmjet një ujësjellësi të ri, të ndërtuar në parametra sanitarë bashkëkohorë. Ujësjellësi i qytetit të Korçës ka një klorinim të përditshëm dhe shumë të rregullt.
Sasia e ujit të faturuar ndaj atij të prodhuar aktualisht është 80%. Grumbullimi i të ardhurave gjatë vitit 2004 ka qenë në nivelin 96%.
Lagjet e vjetra të qytetit të Korçës si për shembull 1, 2, 3, 11 dhe 12 kanë një sistem kanalizimesh të ujërave të zeza të vjetër, i cili në disa zona është mbi 100-vjeçar. Kanalet janë me qemer dhe me plloça, sepse, në kohën kur janë ndërtuar këto sisteme, nuk ekzistonte teknologjia moderne. Dëmtimi i rrugëve dhe kalimi në to i mjeteve të tonazheve të rënda përbën rrezik për shkatërrimin e këtyre kanaleve.
Në lagjet e tjera të qytetit, që janë relativisht më të reja, ekzistojnë tubacione betoni për shkarkimin e ujërave të zeza. Por seksioni i këtyre tubacioneve është i vogël, sepse janë ndërtuar për një pallat, ndërkohë që, në sheshet përreth çdo pallati, janë ndërtuar dhe dy pallate të tjerë që përdorin të njëjtin tubacion për shkarkim. Prandaj tubacionet nuk kanë kapacitet për funksionim normal.
Migrimi i popullsisë pas viteve ’90 bëri që, në periferi të qytetit të Korçës, të krijohen zona të reja banimi pa sistem dhe, në më të shumtën e rasteve, pa kanalizime të ujërave të zeza. Kjo gjendje përbën shqetësim të madh në drejtim të mjedisit dhe të shëndetit.
Përveç ujësjellësit të qytetit, që është dhe furnizuesi kryesor i qytetit me ujë të pijshëm për banorët, nuk duhet injoruar dhe prania e "çezmave të dherit" që përbëjnë një potencial të konsiderueshëm të furnizimit me ujë të pijshëm.
Rrjeti i kanalizimeve të ujërave të zeza në qytetin e Korçës është përgjithësisht i amortizuar dhe me probleme tekniko-sanitare. Aktualisht, vazhdojnë të derdhen në mjedis të hapur 3 kanale të ujërave të zeza të qytetit:
1- në ish-zonën industriale të qytetit,
2- në afërsi të tregut të shumicës të fruta perimeve.
3- në unazë, poshtë urës së fajancës
Janë disa kanale kolektorë të derdhjeve të ujërave të zeza të qytetit, një pjesë e të cilave kalojnë në tokat bujqësore të ish-NB Korçë dhe shfrytëzohen për ujitje të perimeve nga pronarët e tokave. Të gjitha ujërat e zeza, pa asnjë lloj përpunimi, derdhen në lumin Dunavec duke shkaktuar ndotje të këtij të fundit. Një pjesë e banorëve që banojnë në afërsi të përroit të Drenicës, derdhin ujërat e zeza në këtë përrua, i cili vazhdon të ndotet vazhdimisht. Në qytetin e Korçës, shumica e banjave publike janë të parregullta nga ana tekniko-sanitare.
Mbetjet e ngurta
Qyteti i Korçës, gjatë vitit 2005, prodhon mesatarisht 74 ton mbetje të ngurta në ditë. Shtimi i konsumit të produkteve me një përdorim si shishe, kanoçe, bidonë plastikë, kartonë ambalazhi, etj., kanë rritur mjaft vëllimin e mbetjeve. Krahas mbetjeve urbane, ekzistojnë edhe mbetjet spitalore, të cilat arrijnë në vlerat 32 ton/vit, nga të cilat 2,5 ton/vit konsiderohen si mbetje të rrezikshme. Trajtimi i mbetjeve spitalore, për mungesë incineratori, është i njëjtë me atë të mbetjeve urbane.
Fusha e grumbullimit të mbetjeve të qytetit të Korçës (afër Fabrikës së tullave) nuk plotëson kushtet higjeno-sanitare. Mbetjeve të grumbulluara nuk u bëhet asnjë përpunim. Për shumë vite janë përdorur si vend depozitimi të mbetjeve gropat e ish-Fabrikës së tullës pasi shfrytëzoheshin për argjilë. Ekzistenca e fushës së grumbullimit të mbetjeve të ngurta në këtë vend është një mundësi për ndotjen e ujit të pijshëm të qytetit të Korçës dhe djegia e tyre, në jo pak raste, është shkaku i ndotjes së ajrit me gaze toksike, NOx, CO, dioksinë, etj.
Parqet, lulishtet, gjelbërimi i rrugëve
Parqet periferike
Parku periferik, në kodrat e qytetit, ka një sipërfaqe prej 12 ha. Kodrat e gjelbëruara kanë qenë një kurorë e bukur për qytetin dhe kanë patur një funksion jetik për popullsinë si mushkëri e qytetit dhe rregullues të mikroklimës. Gjatë periudhës së tranzicionit pati shumë probleme dhe dëmtime nga prerjet pa kriter, nga kullotja e bagëtive, nga sëmundjet dhe dëmtuesit, të cilat nuk u trajtuan në kohën dhe momentin e duhur.
Parqet ekzistuese
Korça ka një sipërfaqe të gjelbër prej 224.995 m2, e përfaqësuar kjo nga parqe, lulishte, breza të gjelbër përgjatë rrugëve dhe drurë dekorativë në formë shëtitoreje. Qyteti i Korçës është një qytet me rrugë të gjelbëruara kryesisht me bli, gështenjë, panjë amerikane, mështekna, katalpa, frashër, etj.
Një fenomen që vihet re kohët e fundit është dëmtimi i bimësisë dekorative dhe sipërfaqet e barit në parqe dhe lulishte. Kjo si rezultat i dëmtimeve nga kalimtarët, makinat, bagëtia, plakja dhe degradimi i bimësisë ekzistuese. Ekzistojnë blloqe banimi ose lagje të reja të krijuara këto vitet e fundit, (si blloku në varrezat e qytetit), ku është krijuar dhe infrastruktura e rrugëve dhe trotuareve, e cila duhet plotësuar me bimësi dekorative.
Në mënyrë që gjelbërimi i qytetit të jetë i kompletuar, duhet që të përfaqësohet jo vetëm nga bimësia dekorative, por duhet të jetë i shoqëruar edhe me vepra arti, monumente kulture, shatërvanë, vazo dekorative, bordura, stola, pjergullata etj., dhe të gjitha këto përbëjnë ansamblin e plotë të një parku apo lulishteje. Por, vihet re një dukuri që si kudo është e pranishme edhe këtu: një dëmtim i madh i veprave të artit nga njerëz të papërgjegjshëm dhe keqdashës