Deri tani ishte jo shumë e qartë, për shkak të rezultateve relative që kanë nxjerrë analizat e ndryshme, por është përcaktuar së fundmi me metoda bashkëkohore, se pellgu i fushës së Korçës ruan gjurmë drusore, të cilat tregojnë për ekzistencën e popullimeve këtu e 6 mijë apo 8 mijë vjet më parë. Profesori në arkeologji, Petrika Lera, pasi ka shoqëruar në një ekspeditë dy arkeologë gjermanë, flet për rezultate të rëndësishme studimore lidhur me prehistorinë dhe sidomos periudhën e Neolitit të hershëm. Në vazhdën e kërkimeve të prehistorisë në pellgun e Korçës, ai së bashku me arkeologët gjermanë dr. Karl Rittershofer dhe dr. Thorsten Westphal nga Instituti i Kërkimeve Arkeologjike Gjermane, kanë analizuar mbetje të lashta drusore me metodën bashkëkohore të dentro-kronologjisë dhe kanë nxjerrë përfundimet se pellgu i Korçës, ose më saktë fusha e tij, rezulton si qendra më e hershme deri tani e prehistorisë. "Pjesëmarrja e dy arkeologëve gjermanë të fushës së dentro-kronologjisë ka një rëndësi të veçantë, sepse me anë të metodës më të fundit që ata aplikojnë për analizat e lëndës drusore përcaktohet vlera e saktë kohore në kufijtë absolutë të shtresave të ndryshme kulturore të prehistorisë në pellgun e Korçës", tha Lera. Ai shtoi se me materialet prehistorike të lëndës drusore që janë zbuluar në zonën e Korçës si në Sovjan, Podgorie, Maliq etj., do të hartohet një kolonë e saktë e kronologjisë prehistorike. Sipas tij, kjo do të jetë e para në Evropë, të cilës do t‘i referohen objektet e tjera arkeologjike që mund të zbulohen më vonë. "Metoda dentro- kronologjike në studimet tona ka sjellë informacione shumë të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë me kushtet gjeo-klimatike, pasi, siç dihet, në lëndën drusore janë të fiksuara të gjitha ndryshimet klimaterike, termike e hidrike, ndaj kuptimi i kushteve klimaterike ka shumë rëndësi për të kuptuar intensitetin e popullimit të fushës së Korçës nga banorët prehistorikë", tha arkeologu Lera. Ai shtoi se në periudhën e prehistorisë, kushtet klimaterike luanin një rol të rëndësishëm në jetën e banorëve të asaj kohe dhe penetrimi me anë të metodës së re të dentro-kronologjisë ka ndihmuar shumë në njohjen e ndërtimeve të banorëve prehistorikë, të moshës së këtyre ndërtimeve dhe jetëgjatësisë së banesave, si dhe llojit të drurëve që shfrytëzonin e përdornin banorët e prehistorisë apo periudhës së Neolitit të hershëm. "Zona Juglindore e Shqipërisë me qendër Korçën, përmban lëndë drusore, që nga prehistoria deri në ditët tona dhe kjo do të na mundësojë që të ndërtojmë një kolonë dentro -kronologjike nga prehistoria e në vazhdim", tha arkeologu Lera. Krahas materialeve drusore të zbuluara në qendrat prehistorike të Sovjanit, të cilat datojnë gati 6 mijë shekuj më parë si ndërtime të banorëve të hershëm, studiuesit gjermanë të fushës së arkeologjisë në ekspeditën e tyre në rajonin e Korçës kanë marrë materiale drusore aktuale edhe nga Voskopoja dhe nga fshati Leshnjë, të cilat do t‘i verifikojnë me metodën e dentro- kronologjisë.