Para disa vitesh kishim lexuar një libër udhëtimesh të një austriaku. Ai quhej Hugo Adolf Bernatzik. Kishte qenë ushtar në Shqipëri përgjatë Luftës së Parë Botërore dhe, me sa duket, që asokohe ishte bërë jo vetëm një njohës i mirë i saj, por edhe një pasionuar i madh. Në rolin e fotografit Bernatzik është rikthyer edhe një herë tjetër, mbase për herë të fundit, në 1929. Këtë herë objektivi i tij ka qenë i qartë. Donte të fotografonte kolonitë e pelikanëve. E ndjente se rreziku i zhdukjes së tyre po trokiste gjithnjë e më pranë. Fotografitë dhe shënimet e tij të udhëtimit i ka botuar diku andej nga pragu i Luftës së Dytë Botërore. Ky libër fjeti për shumë vjet në raftet e bibliotekave, derisa katër vjet më parë u botua në shqip nga një shtëpi botuese në Tiranë.
Është një Shqipëri e çuditshme kjo që përshkruan i huaji. Pelikanë në Fushën e Korçës? A i kishit imagjinuar ndonjëherë? Peshkatarë të vjetër ndër fshatra që sot dallohen vetëm për bujqësi. Një bimësi e harlisur dhe një kënetë e pamat, që sot nuk është gjë tjetër veçse një fushë e stërmadhe e ndarë në ngastra. E gjithë kjo është fotografuar 78 vjet më parë. Është mbase rasti më tipik se si njeriu bashkë me natyrën transformon edhe zakonet dhe mënyrën e tij të jetesës, se si ndryshojnë historitë personale të njerëzve vetëm në pak dekada.
Këneta e Maliqit është e njohur ndër ne për vuajtjet e dhjetëra mijëra të dënuarve nëpër kampet shfarosëse, për panxharin e saj, për rendimentet e larta. Libri i të huajit flet për një kënetë tjetër, për një vend që sot mund të tingëllojë pa aq i largët sa edhe xhunglat tropikale. Gjatë këtij udhëtimi jemi ndalur në fshatrat, të cilat Bernatzik i përmend në librin e tij.
Në Nizhavec, atje ku mbaronte këneta
Pasi kemi ecur disa minuta përgjatë rrugës që lidh Korçën me Pogradecin, kthehemi në drejtim të Malit të Thatë. Na bën përshtypje rruga, e cila nuk ngjan edhe aq shumë si një rrugë e thjeshtë fshati. Më vonë do ta mësojmë se pikërisht kjo ka qenë xhadeja nga ku shkohej për në Korçë. Ajo gjarpëron përgjatë të gjithë shpatit perëndimor të Malit të Thatë dhe kështu ishte më e mbrojtur nga ujërat e kënetës. Pikërisht këtë rrugë ka përshkuar Ahmet Zogu, ndërsa largohej për në Greqi në prillin e 1939.
Një shoku ynë i vjetër i shkollës, Jorgaq Spirollari, është mësues në këto anë. Mësues Gaqo, sikurse e thërrasin zakonisht, është gjeograf për nga profesioni. E kush tjetër më mirë se ai mund të na e bëjë udhën më të lehtë? Mbërrijmë në Nizhavec. Është një fshat i vendosur mes fushës së pamat, dikur kënetë, dhe një shpati kodrinor që vjen e lartësohet deri në Mal të Thatë. Emri i vjen nga sllavishtja. "Nizhni" do të thotë "i ulët" dhe kur jemi në fshat e kuptojmë se jemi vërtet në pikën më të ulët të krejt ultësirës së pamat. Në fillim takojmë një baxhoxhi. "U çoj unë te një i moshuar që i di këto punë", na thotë baxhoxhiu i Nizhavecit. Kështu mbërrijmë në një shtëpi njëkatëshe në krah të xhadesë kryesore. Është shtëpia e Seit Isallarit, 77-vjeç, banor i vjetër i fshatit.
"Këneta? Ja pas shtëpisë sonë ka qenë. Shtëpitë e tjera ishin të gjitha në kodër". Seiti flet sikur këneta të jetë ende aty. "Ka qenë jetë e vështirë. Kishte shumë lagështi dhe malaria bënte kërdinë. Në shtëpinë tonë lindën 12 fëmijë, vetëm ne të katërt mbijetuam". Xha Seiti e mban mend mirë kohën kur pleqtë dilnin për peshkim. "Peshkatarë ishim më shumë. Këtu zinin peshk me kuintalë. Kishte ngjala të mëdha dhe disa lloje peshku. Unë vetë, bashkë me shokët, atëherë fëmijë, zinim ngjala sipas një mënyre të veçantë. Këtij peshkimi ne i thonim ‘me çistina‘. Ngjalat ngelnin në cektësirë dhe ne i zinim me dorë". Ne e pyesim plakun nëse ka dëgjuar për atë austriakun a gjermanin që ndiqte foletë e pelikanëve në kënetë. Xha Seiti ngre supet: "Për një gjermankë e di që ka ardhur, por për një gjerman fotograf nuk di gjë. Pelikanët i mbaj mend edhe vetë. Ngrinin fole në mes të liqenit dhe ne nuk i preknim. Quhej gjynah të vrisje një pelikan, sepse ata u tregonin peshkatarëve vendin se ku ishte grumbulluar peshku". Më vonë do të mësojmë se kjo gjermanka enigmatike duhet t‘ua ketë turbulluar mendjen peshkatarëve të kënetës aq shumë, sa që ende mbahet mend kënga e trishtuar që ata këndonin për të. Ndërsa ngrihet e bën kafet për miqtë, xha Seiti vazhdon të flasë si i përhumbur, i rrethuar nga kujtimet e kënetës. "Pastaj mbaj mend se në 1945 erdhi një grup i madh teknikësh - vazhdon plaku - piketonin, bënin matje, mbanin ca gjëra në krahë. Ne ende nuk e dinim se çfarë do të ndodhte. Unë vetëm më vonë e mësova se do të niste tharja e kënetës. Pastaj u ngritën kampet. Njëri këtu, afër nesh, në Vloçisht, dhe një tjetër matanë, në Orman-Pojan. Këtu u grumbulluan të burgosur nga e gjithë Shqipëria. Në 1946 nisi puna për tharjen. Kjo gjë duhet të ketë vazhduar deri aty nga 1951. E shihnim vetë se si uji tërhiqej pak nga pak duke ia lënë vendin tokës. Ishte një tokë e zezë, që nuk e kishim parë kurrë. Këtu mbetën vetëm dragat që pastronin kanalet e mëdha. Kjo është historia more bij. Nga peshkatarë u kthyem në bujq. Pastaj me tharjen e kënetës dhe me spërkatjet që vazhduan disa vjet nisën të zhduken edhe mushkonjat e malaries edhe piavicat (shushunjëzat)".
Një djalë i ri na takon si ndrojtur. Është djali më i vogël i Seitit. Sapo është kthyer nga arat që i janë marrë kënetës. "Ne merremi me pataten", na thotë. "1 mijë kuintalë kanë marrë këtë vit", e mbështet e ëma, Edija. "Mirë, mirë po nuk kemi se ku t‘i shesim", psherëtin djali i lodhur. Prej tij mësojmë se këneta e nxjerr kryet hera-herës. "Këtu ku jemi ne grumbullohen të tëra ujërat rreth e rrotull, vazhdon djali. Kanalet shpesh janë të zëna, kështu që në mes të fushës krijohet një baltovinë, që as nuk punohet, as mbillet dhe as çahet. Edhe me traktorë të fuqishëm kemi mbetur sa herë. Jetë dreqi kjo e jona. Hall me kënetë e hall pa kënetë".I kemi treguar xha Seitit atë historinë e austriakut, që kishte ardhur këtej në 1929 dhe jemi bërë gati të vazhdojmë udhën. Plaku ka pranuar të na shoqërojë përgjatë xhadesë që gjarpëron mes ish-kënetës dhe Malit të Thatë, porse një psherëtimë e plakës së shtëpisë na bën që të hapim edhe një herë blloqet. "Ah, unë e di se si i kam rritur e vetme për dhjetë vjet pesë fëmijët e mi!", ka folur Edija si nëpër dhëmbë. Dhe atëherë e mësojmë se edhe xha Seiti e ka provuar shijen e rëndë të burgut politik. Ai vetë nuk do të flasë për atë kohë, por të tjerët na rrëfejnë se është dënuar në 1977, kur ishte nënkryetar i kooperativës. Akuza: tradhti ndaj atdheut. Sipas atyre që i kishin futur në burg, drejtuesit e kooperativës kishin vënë në jetë "metoda të vetadministrimit jugosllav". Dhjetë vjet në Spaç i ka kushtuar kjo akuzë Seit Isallarit, që kishte lënë gruan dhe pesë fëmijët në anë të asaj, e cila dikur ishte kënetë.
Shpella dhe gjermanka enigmatike
Bashkë me mësues Gaqon dhe Xha Seitin vazhdojmë rrugën më tej. Xha Seiti flet vazhdimisht sa herë që mendon se do të shohim ndonjë gjë që na hyn në punë. Një nga fjalitë që përsëritet më tepër është: E shihni atë vargun me plepa atje tej? Ja atje fillonte këneta. Ne vrasim mendjen, me librin e Bernatzikut në dorë, se si do të ishte ky udhëtimi ynë i sotëm, nëse do të ishte bërë këtu e 78 vjet më parë. Në një shesh disi të madh ndalojmë për pak minuta. "Këtu kanë qenë barakat e kampit të të burgosurve. Shumë veta kanë vdekur këtu". Tani, nga kampi i vjetër nuk ka mbetur më asnjë shenjë. Shtëpi të reja janë ngritur kudo në këmbë të Malit të Thatë. Një grup grash na shohin në fillim me besim teksa mbushin thasët me patate. Por besimi shpejt zëvendësohet nga zhgënjimi. Duket sheshit se nuk jemi nga ata që vijnë për të blerë patate. Me sytë e mbërthyer në horizont kalojmë me radhë një sërë fshatrash. Vreshtasin, Koritën, që në kohën e komunizmit e quanin Bregas dhe më në fund arrijmë në Shën Gjergj. "Këtu mbajeni pak makinën, se këtu është ajo shpella që ju kërkoni", thotë xha Seiti duke bërë me gisht nga një shpellë që lartësohet afër 100 metra mbi kryet tona. Në librin e tij Bernatzik këtë shpellë e rrëfen mbarë e prapë, duke e quajtur herë "shpella e Sovjanit" dhe herë "shpella e djallit". "Ne e quajmë shpella e gjermankës. Ka qenë njëra që rrinte në Sovjan", thotë plaku. Bernatizk shkruan shumë faqe për këtë shpellë, në të cilën vendasit nuk zbrisnin "edhe sikur t‘i vrisje", sepse besonin se ishte e populluar nga xhinde gjithfarësh, nga shtriganë të mëdhenj dhe kuçedra. Vetë ai duket se ka kaluar një aventurë të rrezikshme brenda thellësisë së saj të errët. Në mos qoftë ndonjë nga ato gënjeshtrat e patëkeq të gjuetarëve, atëherë ai ka qëndruar brenda saj plot 19 orë!
Ne merremi një copë herë me atë gjermankën, që na e kishin përmendur edhe më parë. "Ka qenë një gjermankë këtu në fshat, në Sovjan, shpjegon xha Seiti. Ka qëndruar për shumë kohë duke u endur shpateve të malit. Në këtë shpellë vinte shpesh. Ndaj edhe i ka mbetur emri. Madje për të ende këndohet një këngë e vjetër". Plaku, si kujtohet për ca minuta, nis e reciton tekstin e këngës së vjetër për gjermankën: "Në kish‘ e Sovjanit ma kishe meqanë/ Hiqu moj gjermankë se do gjeç belanë / Prapa se ç‘më mbaje Asim budallanë/ Hiqu moj gjermankë se do gjeç belanë. Kjo gjermanka është e veshur me një vello misteri. Askush nuk di të thotë vitin e saj të ardhjes, emrin, apo punën e saj. Pleqtë mbajnë mend se ishte shumë e bukur dhe ngjitej lart në shpellë e shoqëruar vetëm nga i pandashmi i saj, "Asim budallai", një njeri i përçmuar nga të gjithë, i cili tani mbahet mend vetëm nga kënga. "Hajde merre vesh këtë punë, thotë njëri prej nesh, cili ishte budallai, a ishte Asimi që rrinte me gjermankën, apo ata që nxorën këngën dhe që sa nuk po plasnin nga zilia"? Është një pyetje vërtet e vështirë.
Drejt zemrës së kënetës
Në Zvezdë ndalojmë fare pak. Është një fshat i madh, që e kemi parë e përshkruar edhe herë të tjera. E dimë që këtu jemi në njërin prej fshatrave më të rëndësishëm të Fushës së Korçës. Këtu plepat që tregojnë bregun e dikurshëm të kënetës janë edhe më larg se në fshatrat e tjerë. "Peshkatarët e Zvezdës", i ka quajtur Bernatzik banorët e këtij fshati të madh. Neve na duket i çuditshëm ky cilësim, teksa shohim fshatarët që kthehen nga ara me plugjet, lopatat, belat. Asnjë shenjë nuk ka më nga peshkatarët e dikurshëm. Në Zvezdë na duhet të ndahemi me siluetën madhështore të Malit të Thatë. Këtu ai i lë vendin malit të Ivanit. Prapa tij është një liqen nga ata të vërtetët, nga ata që nuk duhen tharë, përkundrazi. Është Prespa e Madhe. Edhe pak kilometra dhe dalim në rrugën që lidh Bilishtin me Korçën dhe pjesën tjetër të vendit. "Deri tani kemi bërë të gjithë rrugën që bëri Ahmet Zogu kur iku në 1939. Jemi që jemi, a shkojmë edhe në Zëmblak? Aty mbreti ka ndaluar për pak orë. Ka pushuar, ka ngrënë një drekë dhe ka vazhduar rrugën e tij", propozon xha Seiti. Pranojmë duke i thënë plakut se sikur të ishte edhe ca më i ri, do të na e kishte kaluar me siguri ne gazetarëve.
Zëmblaku është në krahun e djathtë të rrugës Korçë-Kapshticë. Nga xhadeja, që nuk rresht së mbarturi makina të të gjitha llojeve, i dallojmë shtëpitë e tij të ngritura mbi një kodër të butë. Një fëmijë na ndihmon: "E di unë shtëpinë ku ka ndenjur Zogu". Neve në fillim na duket si një shkollë e braktisur, pastaj dallojmë arkitekturën e veçantë të një shtëpie të shndërruar më pas në shkollë. Është shtëpia e Gani Kukës, më shumë i njohur si Gani Zëmblaku. Fisi i tij e pësoi për shumë vjet vetëm për këtë drekë që monarku në ikje kishte konsumuar shpejt e shpejt në këtë shtëpi tashmë të heshtur.
Poshtë, në anën tjetër të rrugës, na presin sërish plepat që tregojnë konturin e kënetës së dikurshme. Ecim përgjatë disa kanaleve të stërmëdhenj, por që kanë nisur të mbushen me baltë e kallamishte. Kalojmë me radhë fshatra me emra të njohur, Pëndavinjin me kishën e tij shumë të bukur në qendër, Rrëmbecin me shtëpitë e rregullta dhe të mbajtura mirë dhe brenda pak minutash jemi në vetë zemrën e kënetës, në Sheqeras. Ky është një fshat i madh, i krijuar pak nga pak me banorë që vinin nga të gjitha anët e vendit, por kryesisht nga fshatrat malore të Juglindjes. Dallon që ka qenë një fermë, nga pallatet tipike, të ulëta, me tulla të kuqe dhe të pasuvatuara. Nuk ka drita, sigurisht. Në qendër të fshatit, në një lokal të errët, disa të rinj vrasin kohën duke i hedhur batuta njëri-tjetrit. Humori intensifikohet porsa mbërrijmë ne, vizitorët. Sheqerasin e kishim njohur si vendin që mban rekordin e të ftohtit në Shqipëri. Ndonëse fillim tetori, nuk ndiejmë aspak ftohtë. Vetëm një trishtim, që shtohet edhe më shumë nga lëkundja e heshtur e kallamave anës rrugës. Xha Seiti tani nuk flet më. Rrufit kafenë, i lodhur nga pesha e kujtimeve që i është dashur të mbartë këtë ditë.
Moti e pengon shumë nxitimin tim. Ditë pas dite e natë pas nate bie shi pa pushim. Rrugët e këqija bëhen edhe më keq, pellgjet zmadhohen, urat shemben, çadra nuk arrin të thahet mirë. Më në fund ndodhem në Korçë ndërsa bie e bie shi pa pushim.
Hapa çadrën në Zvezdë, në bregun tjetër të liqenit. Asnjë nga peshkatarët e shumtë që më vizitojnë, nuk dinë ndonjë gjë për pelikanët. Po përse i kam këmbët dhe sytë? Mali më i lartë pranë liqenit të Maliqit, Mali i Thatë (2015 metra) duhet të më presë. E arrita majën pas gjashtë orësh ngjitje mbi fusha me dëborë dhe gurë.
Kurrë më parë nuk isha ngjitur aq shpejt në një mal. Bariu gulçonte me çantën time mbi shpinë nëpër monopatet e dhive, shpesh na duhej të lidheshim me litar për t‘u kacavjerrë në vende të vështira. Por tashmë mbërritëm në vend. Pesë minuta pushim, busullën në dorë, dhe përsëri përpara, përgjatë rrugës për në Nishavec. Aty më duhet të shkel me sandale të lehta mbi tokën e lëkundshme moçalore. Retë ishin grumbulluar lart dhe kishin zënë vend mbi malet e largëta, pikat e mia referuese ishin zhdukur, por tani asnjë prapësi nuk më mban dot më. Kapërceva një kallamishte me llucë dhe ujë që vinte gjer në gju, përshkova me hapa të mëdhenj një pjesë të mirë të barit të moçalit, krejtësisht të djegur. Ishujt e vegjël me zor më mbajnë, ndërkohë që unë u zhyta thellë në moçal. Bazamenti lëkundet në çdo hap që hidhet mbi të. Kallamishtja e lartë rreth 1.5 metra zhytet në ujë e më pengon.
Mëngjesin tjetër mora me vete në kënetë edhe varkën, aparatet fotografike, stativin dhe dylbinë. Tre djelmosha më ndihmuan për këtë. Duke qenë banorë rreth kënetës, ata nuk ndjejnë vështirësi në këtë lloj transporti. Më në fund ndodhemi para foleve. Pelikanët e rritur fluturojnë sipër nesh dhe vëzhgojnë me kujdes e mosbesim veprimet tona. Të gjesh vend për varkën, pa një terren të qëndrueshëm, nuk është shumë e lehtë. I vetmi vend i thatë është zënë nga foletë e pelikanëve dhe sipërfaqja tjetër e ujit nuk të premton shumë
Kurrë më parë nuk e kisha ndjerë pelikanin nga aq afër sa atë natë, nga mbrëmja në mëngjes, që kalova në koloni. Dëshira për të bërë një vëzhgim të hollësishëm më detyroi të vendosja këtu, pa marrë parasysh vështirësitë e shumta, as shiun, pallton time të lagur apo mushkonjat e malarjes të etura për gjak, as mpirjen e dhimbshme të gjytmyrëve të flashkura gjatë ditës. Foletë para meje ma mbërthyen vështrimin, errësira filloi të zhdukë ngadalë konturet e reve. Me ngadalë foleja u mbush me zogj të mëdhenj që ktheheshin në shtëpi
Kisha vendosur të vizitoja shpellën e paeksploruar pranë Sovjanit vetëm pasi kisha dëgjuar nëpër njerëz legjendën me dragonj dhe shirtra, kuptohet edhe me djaj. Shoqëruesit e mi kishin për detyrë që, vetëm kur të dëgjonin krimsën e revolverit të tërhiqnin litarin lart Dola me mundim nga shpella, pastaj u ula mbi bar dhe qëndrova aty i rraskapitur gjatë -gjatë qëndrova shtrirë dhe vështrova natën, çfarë nate e bukur, madhështore, e mrekullueshme dhe e qetë, me mijëra, mijëra yje dhe ndjeja erën që shushuriste dhe më ledhatonte ballin.
Më pas zgjova shërbyesin tim që ishte duke fjetur dhe që nuk shpresonte se do të më shihte më, por që gjithsesi më kishte pritur me flegmatizëm mysliman. Ata kishin dëgjuar një rrëzim të shurdhër brenda shpellës dhe kishin kujtuar se mua më kishte sulmuar ndonjë djall. Kishin tërhequr me të shpejtë litarin me qëllim që, siç thoshin ata, të përshpejtonin ikjen time. Kur kishin parë fundin bosh të litarit nuk dinin çfarë të bënin dhe kishin fjetur. Unë isha endur andej-këtej për nëntëmbëdhjetë orë nëpër shpellë.
FATOS BAXHAKU