08-24-08
Mbi supe ai mban 83 vite. Ndjehet i freskët, i palodhur ndjehet. Në një takim mes poetëve dhe artistëve të Devollit, nuk mungonte dhe Ali Kondi. Ai kishte marrë rrugën që nga Tirana dhe i ishte përgjigjur ftesës që i kishin bërë. Ali Kondi, ose Aliu i Vranishtit, që njihet si një këngëtar dhe valltar ende e ruan atë freskinë e viteve. Nuk linte valle pa nisur në atë takim dhe, mbas tij rritej e rritej vargu i pjesëmarrësve. Tani si na u shpreh ai po korr grurin e 83 e të jetës së tij. Që nga viti 1995 e ka lënë Vranishtin dhe jeton në Tiranë, por me shpirt ai është këtu në Devoll, është atje në Vranisht.
Si ndjeheni kur vini në Devoll
Kur ika sefte në Tiranë, ato netët e para u mbyta nga ëndrrat. Nuk shkëputesha dot nga Vranishti, nga miqtë, nga shokët e këngës dhe të valles. Por të tilla erdhën kushtet dhe unë u detyrova që t'ia mbath e ta lë fshatin tim. Kur vinte Dritëro Agolli në shtëpinë time më thosh, o Ali sa të mirë e ke ballkon e Vranishtit, fluturojnë këngët deri në Kosturi. Kur vij në Devoll ndjehem si në shtëpinë time. I ikur jam, por s'më lënë këta djemuria që të mërzitem. Njëri më fton në këngë, tjetri për valle. Unë nuk i përtohem as këngës , as valles. Nuk kam bërë hile në jetë. Hile kam bërë vetëm në raki. Unë nuk e teproja më shumë se me dy gota. Po të rrëkëlleja më tepër atëherë nuk do të merrja as unë vesh se si do të më dilte kënga.
Ju keni vjel dhe folkun e zonës së Devollit.
Po të tregoj, se unë kam mbledhur nga pema gjenealogjike e fisit tim se jemi që prej tetë brezash këngëtarësh. Unë vetë, nuk dal asnjëherë para vëllait tim Novruzit, i cili ka vdekur që në vitin 1977. Unë u bëra anëtarë i Instituti të Folklorit. Mblidhja këngë dhe bëja dhe vetë. Kështu që u bëra dhe anëtarë i lidhjes së Shkrimtarëve të kohës. Për dhjetë vjet punova në shtëpinë e kulturës dhe e ngrita Vranishtin në këmbë duke e ndezur nga këngët. Po si ne nisën të bënin dhe fshatrat e tjerë, si Progri, Plasa, Pojani. Ajo që më dha krah mua dhe më krijoi lehtësira qe nisja e punës në ujësjellës, ku aty e mbylla sa dola deri në pension. Nuk u jam ndarë festivaleve. Njoh dhe kam shkëmbyer këngë gati me të gjithë të mëdhenjtë e këngës së popullit. Me Alon, Belulin, Asllanin nga Skrapari nuk kemi këmbyer vetëm gota e kafe por dhe këngë e valle me ta kemi luajtur bashkë. Na puqen ato të shkreta zakonë bashkë dhe e kemi ruajtur miqësinë. Nuk kishte burrë që t'ia mbantë këngën Demir Zykos, por vetëm Asllani i vinte nga mbrapa e të tjerët i bënin vetëm iso. Janë mbi 400 këngë që unë kam mbledhur.
Si u futët në këngë
Rrjedhim nga shtëpi kënge dhe sipër djemtë, ashtu dhe për gratë kënga gatuhej që në moshë të re. Mua që në moshën 7 vjeç më merrte babai mbrapa në gostie e muhabete. Që në këtë moshë kam kënduar këngën për Ismail Qemalin. E kështu mori rrugë puna ime me këngën. Pastaj na futën që të luanin valle. Unë jo vetëm që i kam kënduar këngët, por dhe kam shkruar vetë këngë. Për Sali Vranishtin them: Me gishtin e këmbës /e zbraze dogranë/ Komandantin turk/ qëllove në ballë. Për Zyfer Kondin kam shkruar: Sazet e Kosturit/Poloskë po bimin/Zylyfi la punën/Këmbët dhe s'i zinin/Atje hapi vallen/Të gjërë sa një lëmë/Dasma mori zjarr/Ai mal në këmbë/... Koka nga kërcimi/Goditej me retë.
Një këngë e njohur ajo "Tek Plepi i Bilishtit", sa e moçme është se mua më kujtohet që e këndonin dhe gjyshërit tanë në Skrapar.
Përgjigje-Me saktësi nuk mund ta përcaktojmë moshën e saj, por është aty tek 200 e kusur vite. Më 1925 këtë këngë xhaxhai im , Bane Kondi e ka inxhizuar në Korçë, ku erdhi një ekspeditë gjermane dhe volën sazexhinjte dhe këngëtarët më të mirë të trevës. Gjermanët bënë disqe me sazexhinjtë e Leskovikut, me këngët e Hafize Leskovikut. Po në ato disqe u regjistruan dhe këngët e Refat Bulgarecit, Risto Pëndavinji. Këtë disk të xhaxhait të regjistruar në ato vite unë e kam dhe e ruaj si gjënë më të shtrenjtë të jetës.
Gruaja ju ka ndihmua apo ju ka penguar.
Për tri gjëra e respektoj Kadeskën time. Së pari se më deshi nënën, së dyti se më mbajti këngën dhe së treti që më priti miqtë dhe shokët e nuk mi vari buzët. Po në Tiranë ku ne banojmë tani është e shtrenjtë jeta për ne pensionistët. Unë bëj shaka me shokët e u them se mua Kadeska mi ka qepur mirë xhepat, po lekët nga më kanë rrjedhur.Gruan e mora 14 vjeçe më të vogël, por ja kemi kaluar mirë, pa konflikte se nuk na linte kënga që të ndiznim ato. Unë kur nis të këndoj nuk më shkon në mëndje se nga mbrapa do të ma prishin. E kam gruan si një violinë që më ndjek nga pas dhe më jep kurajo.Vetëm në gjumë nuk këndon Ali Kondi. Me këngën në buzë shkoj të takoj Dritëroin. Kur nuk e gjej tek Libraria i lë një pusullë e i iki. Nuk dua që ta shqetësoj. Kur takohemi pastaj zbrazemi me mall nëpër Devoll.
Si e përballoni jetën në Tiranë
Kripem me pensionin tim dhe të gruas. Ajo merr pension kooperative, ndërsa unë e marr nga shteti dhe unë fus në shtëpi 130 mijë lekë nga xhepi im. Nga këto 100 mijë i marr nga puna dhe 30 mijë nga lufta. Edhe unë e kam ndihmuar luftën.
Si e keni ndihmuar ju luftën?
Unë kam nisur partizan vëllanë Novruzin, në brigadën e dytë. Po për vete jam ndeshur dhe unë me gjermanët. Na erdhi në fshat një vajzë nga Dardha e Korçës dhe mua më bëri të ri komunist. Unë u ndeza zjarr. Fluturoja. Sa kisha nisur të mësoja dhe këngët e luftës. Pa këngë lufta dhe pa plumba nuk bëhet.
Keni vrarë gjerman?
Po kam parë me sytë e mi 18 gjermanë të vrarë. E di kur ka ndodhur kjo. Aty në hyrje të fshatit Dishnicë është një lapidar. Me tre të rinj ngarkuam katër kuaj me lakror dhe me byrek dhe i kemi shpënë mbi Dishnicë, ku ishte brigada e dytë sulmuese. Mua më thanë që të rrija e të ndihmoja në një aksion që do të kryhej kundër gjermanëve. Më dhanë një pushkë të shkurtër. Në mëngjes, pa zbardhur dita ne ju ramë gjermanëve. Si lanë viktimat ata u zmbrapsën e ikën.
Pse kthehej gjermani mbrapa?
Unë e kam parë me sytë e mi. Them në një varg të një këngë " Neve ndiq e gjermani ik"
Vetëm këngë keni futur në trastën tuaj?
Në Devoll nuk ka vetëm këngë e valle e njerëz që punojnë arat. Po ka dhe burime humori, që unë sa munda fshtolla e kërkoj ende të fshtjell.. Gati 20 vjet i treta në Ndërmarrjen e ujërave. Nga liqeni i Prespës ushqenim kanalin nga Vranishti deri në Hoçisht. Pompat vërtisnin ujin unë vërtisja këngët. Ujë e hije kishim për behar. Arif Shirka nga Piluri e kish shtëpinë mu në mes të mollëve nuk këpuste një kokërr, por për humor të këpuste kokën. Erdhi një ditë e piu ujë tek pompat. Mu drejtua mua se këtu punuake ,o Ali. Po këtu i them kam ca vite e s'jemi parë e as ti s'je dukur. Ma kthen Ali Kondi i ke rënë mendjes mbrapa, këtu nuk të zë as shiu, as vapa. Po Arifi ishte një shakaxhi që të ngopte me humor. Për një mbledhje ai thosh se të gjithë anëtarët i zuri gjumi, bashkë me ta dhe presidiumin.
Si jeni njohur me Dritëro Agollin?
Me Agollin jemi njohur nëpërmjet historisë së këngës së gjyshërve tanë dhe vetë në të pjellët e tyre. Ai ka shkruar për tërë fisin tonë. Për mua ka shkruar se po ta shtrydhësh trupin e Aliut prej tij del vetëm këngë. Në një gosti në fshatin Menkulas këndonte xhaxhai im, Bane Vranishti se kështu e thërrisnin. Gratë, që u shtrënguan për ta dëgjuar u ngjeshën në një gardh i cili u rrëzua dhe gratë ranë njëra mbi tjetrën. Dritëroi ka shkruar për këtë se nga kënga u zbulua bukuria e grave. Gratë rrinin pas gardhit, si të fshehura dhe, dëgjonin këngën. Kur e shtrinë gardhin për tokë ato u zbuluan dhe u derdhën atje në shesh ku këndohej kënga e Bane Vranishtit.
Si ndjeheni kur dëgjoni këngët e popullit të përpunuara?
Mos më thuaj të përpunuara, por të shpërdoruara. Ndjehem keq, po ta them. Ato që unë i di , kur i dëgjoj me avazin e ri që u kanë futur, i këndoj vetë. Kënga e popullit është këngë e popullit. Këta që fusin duart, kanë shteruar dhe nuk krijojnë këngë të reja, por u prishin suvanë atyre të popullit dhe, nxjerrin kunguj nga këngët e popullit. Por këto ndërhyrje që bëhen , nuk janë të mira. Ne burrave që kemi lindur me këngë na duket se dhe kjo është një çoroditje e madhe si e gjithë jetës shpirtërore të popullit tonë. Unë dhe nipërve ju kam mësuar të këndojnë si gjyshërit. Por nuk shuhet kënga në fisin Kondi. Nipërit i kam edhe të këngës edhe të këmbës. Nuk i kam sportistë, por valltar.
Sa ka shkuar vlera e thesarit të mbledhur?
Të mbledhur dhe të gatuar vetë më vërtiten aty tek 800 këngë në repartin , repertorin tim. Do të përmend " Po stolis ballin me tel", " Më erdh cigarja për të ndezur"," Vjen syzeza duke qeshur", "Shqipëri ballë krenare", "Kryetrim , o Skënderbe". Por për mua pasuria më e madhe është se unë futa fëmijët në vallen devolliçe që ajo të mos vdiste. Fëmijët i futa dhe në vallen "Gorarçe", që kjo traditë ecën dhe sot me fëmijët e Devollit. Traditën e familjes e vazhduan dhe pasuan, veç sime shoqe , Mukadesit, djemtë e mi Aveniri, Valteri, nipërit dhe mbesat, vajzat, Luljeta, Fitnetja dhe Mimoza. Kur u fejova dhe në bisedën e parë që bëra me time shoqe i thashë me shaka, se në s'dinte të këndonte, nuk ke gjë me Aliun, se ne jemi fis këngëtarësh dhe dy kunatat që kemi marrë ja shkrepin këngës, nuk dua të turpërohem nga kjo anë. Po si violinë e pata nga mbrapa. Ishte e këngës dhe e këngës u bë me mua. Për merita pune gëzoj 8 medalje e dekorata si dhe 50 diploma, certifikata, dëshmi. Goxha shpërblim kam nga kjo anë, por në vlera monetare asgjë nuk është shtuar në kuletën time.
Ali Kondi ka lindur më 25 tetor të vitit 1925. Në pasaportën e tij artistike ka këto vlerësime
1-Që nga viti 1970 anëtar i këshillit shkencor në Institutin e Folklorit.
2- Që nga viti 1979 Mban titullin Artist i Merituar
3- Që nga viti 1976 anëtar Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
4- Që nga viti 2004 është Personalitet i Shquar i qarkut të Korçës.
5-është anëtar i Unionit Artistik të kombit shqiptar
6-është anëtar i klubit "Miqtë e Dritëroit"
është vlerësuar me 50 dëshmi, si këngëtar dhe valltar.
Ka botuar katër libra më këngë .
|