09-13-08
Rreth 600 banorë të fshatit Vashtimi, komuna Libonik e rrethit Korçë, kanë denoncuar pranë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Korçë fenomenet korruptive që kanë ndodhur në fshatin e tyre. Prokuroria e këtij rrethi ka zhvilluar hetime mbi këto denoncime të qytetarëve, por tashmë mësohet se askush prej tyre nuk është thirrur në rolin e dëshmitarëve. Në këto kushte gjithkush prej të akuzuarve ka dalë i pafajshëm, ose e thënë ndryshe, Prokuroria e Korçës në këtë denoncim të 600 banorëve, nuk ka gjetur asnjë vepër penale. Ky përfundim i hetimeve ka lënë të irrituar banorët e një fshati të tërë, madje ata nuk po arrijnë të kuptojnë se çfarë po ndodh me drejtësinë shqiptare. Edhe sikur vendimi i Prokurorisë të ishte i rregullt, nuk mund të jetë i besueshëm, thonë ata, pasi gjatë procesit të hetimeve janë shmangur dëshmitarët. Të gjendur në këto rrethana, që ata i konsiderojnë absurde, 600 banorët e fshatit Vashtmi të rrethit Korçë, i janë drejtuar ditën e premte Kryeprokurores së Republikës Ina Rama ku përmes një faksi i bëjnë të ditur problemin e tyre. Në lidhje me këtë çështje ka folur dhe përfaqësuesi i 600 banorëve të fshatit Vashtmi, Eqerem Avdolli, i cili ka qenë personi që ka paraqitur denoncimin në Prokurori në emër të bashkëfshatarëve të tij. Sipas tij, ata i kërkuan Prokurorisë hetime mbi shitjen e karburantit (naftën), e cila kishte qenë e destinuar për fermerët, por që asnjëherë nuk shkoi tek fshatarët. Së dyti, na tregon Eqerem Avdolli, ne i kërkuam Prokurorisë të na jepte një përgjigje mbi shitjen e 2 hektarëve tokë, e cila ka qenë pronë e fshatit dhe jo pronë e atyre që e kanë shitur, por edhe mbi këtë çështje nuk morëm asnjë përgjigje. Së treti, i kërkuam Prokurorisë të hetonte mbi ç’rrethana ishte realizuar shitja e pallatit të kulturës, por sërish nga organi i akuzës nuk patëm ndonjë sqarim. Përveç sa më sipër, Prokurorinë e vumë në dijeni edhe mbi fenomene të tjera korruptive siç janë abuzimet mbi fondet, por edhe mbi këtë çështje nuk patëm asnjë lloj përgjigje”.
gazeta metropol
|