09-12-08
Sa herë që njerëzit dilnin nga “Skena Park” lokal nate në qytetin e Korçës, ndërsa drejtoheshin për në banesat e tyre, pyesnin njëri-tjetrin, “Po kush ishte ai djalë i vogël që këndonte atje”?
Kishte nga ata që ia dinin emrin, ashtu siç kishte dhe mjaft të tjerë që nuk dinin asgjë më shumë për të.
“Po sa vjeç ishte vallë?”, pyesnin sërish.
“Nuk e di, përgjigjej tjetri, ndoshta 10, ndoshta 12, por nuk besoj të jetë më shumë”. “Këndonte bukur…”. “Po, po këndonte shumë bukur…”.
E ndërsa flitej për të, ai fëmijë i vogël me emrin Mateo Frroku vazhdonte të qëndronte në “Skena Parak” për të kënduar edhe një këngë tjetër, por… edhe një këngë tjetër. Kështu ishte ai një djalë i vogël, i dashuruar pas këngës. Kur dilte që andej ndihej i rraskapitur dhe i lodhur për gjumë. Në atë kohë ai ishte vetëm 13 vjeç...
Po pastaj... ?!
Që atëherë ka rrjedhur mjaft ujë. Tashmë Mateo është në vitin e fundit të shkollës së mesme të muzikës, “Tefta Tashko Koço” në Korçë. Ai ka marrë pjesë tre herë në festivalet e Radiotelevizionit Shqiptar, te “Këngët e Shekullit” dhe në mjaft koncerte. Kudo që shfaqet ai ka mirëpritje. Vajzat pyesin njëra–tjetrën nëse zemrën e tij e ka “zaptuar” ndonjëra prej tyre, ndërsa bëhen xheloze kur e shohin me vajza të panjohura për to.
Ka nga ato që thonë se Mateon e kanë ndjekur që nga koha kur këndonte në “Skena Parak”, ndërsa ka të tjera që thonë se kanë kënduar së bashku me të në Festivalin e Fëmijëve që kur ai ishte 10 vjeç.
Bisedat e tyre nuk kanë të ndalur… Tashmë daljen në skenë të Mateos e presin të gjithë, të të gjitha moshave. E vërteta është se ai tashmë ka nisur të befasojë jo vetëm Korçën, por shumë më gjerë se kaq. Nesër me siguri do të jetë një Promete i këngës. Do t’i marrë vargjet dhe tingujt për të gatuar zjarrin e këngës për t’ua shpërndarë atë njerëzve, ashtu siç bëri Prometeu me zjarrin e vjedhur. Kështu shpresojnë të gjithë, sepse që kur ai ishte fëmijë, për Korçën kishte qenë një shkëndijëz që premtonte shumë.
Por jo vetëm kaq, ai djalë i shëndetshëm me një buzëqeshje të çiltër ishte i aftë të bënte çdo njeri për vete. Ai këndonte për ta dhe jo për vetë. Ai gëzohej kur lumturoheshin të tjerët. Kur nuk e kishte menduar se do të këndonte një këngë “Ti engjëll, unë Promete”, por ai që atëherë ishte parathënia e një njeriu që engjëll do të kishte këngën dhe gjithë sakrificat e tij do të ishin prometejane.
Prindërit dhe Mateo
Lidhja e tij me këngën kishte filluar kohë më parë, por në kujtimet e tij ka mbetur edhe “Skena Park”. Ai largohej nga andej vetëm kur “Skena Park” ishte zbrazur. Pikërisht në atë çast ai nisej për në shtëpi dhe pasi kishte mbërritur atje, nën vështrimin e nënës së tij, Elidës dhe babait të tij, Tonin Frroku e zinte gjumi, por vështrimi i tyre mbetej edhe për një kohë të gjatë mbi birin e tyre.
Mateo është një fëmijë i dashur. Nëna e tij ishte mësuese e edukimit fizik, ndërsa i ati gazetar sportiv. Vëllai tjetër më i vogël, Haroldi, ka dëshirë të bëhet sportist. Për të gjitha këto prindërve të tij u dukej sikur Mateo nuk kishte asnjë lidhje me këngën. Ah, sportist po, do të ishte e besueshme, por me këngën…?!
Megjithatë, prindërit e tij kujdeseshin për dëshirën e tij. Bënin gjithçka mundnin. Pastaj befas kujtoheshin se Mateo edhe kur ishte 10 vjeç kishte fituar disa çmime në festivalet e fëmijëve. Mund të ishte dhe një këngëtar i talentuar. Ndërsa mendonin të gjitha këto, Mateon e kishte zënë gjumi që në çastin e parë. E linin mes ëndrrave të tij dhe largoheshin ngadalë për të mos e zgjuar nga gjumi.
Të nesërmen ai do të ngrihej shpejt, sepse siç thotë vetë Mateo ai nuk ka qenë asnjëherë gjumash.
Ata që e kanë njohur nga afër thonë se ai është një djalë i këndshëm dhe tepër modest, ndërsa vajzat nuk rreshtin së foluri...
E megjithatë Mateo e ka tepër të vështirë të flasë për veten. Gjithë gjërat tek ai janë të vërteta. Kështu ka qenë ndoshta që fëmijë. Në atë kohë as vetë Mateo nuk e dinte nëse një ditë do të bëhej këngëtar ose jo, madje nuk mund të thuhet nëse ai kishte ndonjë ambicie për këtë gjë. Thjesht i pëlqente të shkonte atje, te “Skena Park” e të këndonte. Njerëzit që dëgjonin këngën e tij e duartrokisnin, por Mateo vetëm buzëqeshte çiltërsisht ashtu siç dinë të bëjnë vetëm fëmijët. Ai ende nuk e kuptonte mirë se ç’do të thoshte të duartrokitej një këngë.
Ditët kalonin dhe lidhja e tij me këngën po bëhej edhe me e fuqishme. Kështu i kalonin të gjitha ditët e pushimeve verore, pastaj fillonte shkolla dhe ai e linte “Skena Park”, për t’iu rikthyer sërish në pushimet e verës. Pikërisht në këtë kohë do të nisnin përsëri pyetjet e njerëzve, “Po kush ishte ai djali i vogël atje, që këndonte”?
Përgjigjet nuk do të ishin njësoj si më parë. Ai djalë i vogël, 13 vjeç, kishte nisur të befasonte Korçën. Por çfarë ndodhi më tej me pasionin e tij, na i tregon vetë Mateo Frroku.
“Nuk e dija se mund të këndoja...”
“Kur isha 10 vjeç shkoja shpesh në shtëpinë e pionierit”, nis të na tregojë Mateo Frroku, tashmë një këngëtar që ka nisur të tërheqë vëmendjen e të gjithëve.
“Në atë kohë atje punonte dhe nëna ime. Bashkohesha me fëmijët e tjerë dhe nisja të këndoja me ta. Aty vunë re se unë mund të këndoja. Pas kësaj do të merrja pjesë në festivalin e fëmijëve ku fituam si grup çmimin e dytë. Mbaj mend që nga përgëzuan shumë njerëz, madje dhe që na shtrënguan dorën. Ndiheshim mjaft të kënaqur. Më pas do të këndoja një këngë të Adrian Jorgjit dhe përsëri do të fitoja çmimin e dytë. Fill pas kësaj ngjarje fëmijëria ime do të lidhej mjaft ngushtë me këngën. Nuk ndahesha dot prej saj. Jo se doja të bëhesha këngëtar, sepse në atë kohë ende nuk e kisha menduar këtë, por sepse thjesht më pëlqente të këndoja. Ende nuk e dija ku qëndronte magjia dhe forca e saj. Gjatë kësaj kohe do të merrja pjesë edhe në Festivalin Kombëtar të Fëmijëve në Shkodër. Më kujtohet si sot udhëtimi drejt qytetit verior. Ishte një udhëtim mjaft i bukur. Gjithsesi mbaj mend që ndihesha i gëzuar, ndoshta nga që po merrja pjesë bashkë me fëmijë të tjerë. Gjithë meraku im ishte se si do të këndoja. Për mua e rëndësishme ishte që prindërit e mi të mbeteshin të kënaqur, por edhe vëllai im më i vogël, Haroldi, edhe pse ata asnjëherë nuk kanë kërkuar nga mua të pamundurën. Mbaj mend kur babai i tha nënës, ‘Edhe nëse Mateo do të bëhet këngëtar, gjithçka në jetën e tij duhet të jetë e natyrshme’. Im at nuk kërkonte nga unë asnjë sforco. Pavarësisht nga të gjitha këto, unë doja që të dilja mirë në festivalin e Shkodrës. Tashmë një duartrokitje më bënte të kuptoja se si kisha kënduar. Me të përfunduar festivali i Shkodrës u nisëm drejt qytetit të Korçës. Edhe në qytetin tim do të zhvillohej festivali i fëmijëve. Dëshiroja të këndoja edhe atje. Kur hymë në Korçë ishte mesditë, ora shënonte 14.00-14-30 minuta. Festivali sapo kishte filluar. Shkova edhe unë atje. Pas disa këngëve dola në skenë. Këndova po atë këngë që kisha kënduar në qytetin e Shkodrës. Me atë këngë fitova çmimin e parë. Pas pjesëmarrjes në festivale kënga do të më bëhej edhe më e dashur për mua”, kujton e tregon Mateo Frroku.
“Skena Park”dhe Redon Makashi
“Ngaqë kisha nisur të ndihesha i dashuruar me këngën nuk iu shmanga një mundësie për të kënduar te ‘Skena Park’”, vazhdon rrëfimin e tij Mateo.
Gjithçka kishte qenë e natyrshme, ashtu siç kisha kënduar tre vjet më parë në shtëpinë e pionierit. Vëllezërit Prifti, që të dy këngëtarë dhe pronarë të lokalit më ndihmuan shumë për mënyrën se si këndohej një këngë. Aty këndohej vetëm ‘live’. Në atë lokal vinin shumë njerëz të të gjitha moshave. Sa herë dëgjonin një këngë të bukur duartrokisnin. Vija re se në raste të tilla këngëtarët gati sa nuk fluturonin. Te ‘Skena Park’ vinin edhe këngëtarë të tjerë të ftuar, këndonin një apo dy këngë dhe largoheshin, por unë gjithnjë përpiqesha t’i mbaja mend fytyrat e tyre. Nuk doja t’i harroja. Fjalët e këngëve të tyre i këndoja nën zë ose me zë të lartë kur isha i vetëm në shtëpi. Një ditë dëgjova se te ‘Skena Park’ do të vinte edhe Redon Makashi dhe ashtu ndodhi. Mbaj mend që i dhashë dorën. Isha takuar me një këngëtar të njohur. Një çast mendova se kjo gjë do të më sillte fat. Unë i shikoja ata si perëndi. Unë atëherë isha vetëm 13 vjeç dhe ndoshta nuk bija në sy të tyre, por kjo pak rëndësi kishte. Unë kisha kënduar në të njëjtën skenë me këngëtarë të mirënjohur. Të paktën kështu duhet të kem menduar atëherë. Redoni këndoj dy këngë dhe pati duartrokitje të fuqishme. Tashmë kanë kaluar kohë dhe ai bën pjesë të miqtë e mi më të mirë. Pas pjesëmarrjes time te ‘Skena Park’ udha drejt këngës do të niste sërish, ndërsa gjatë gjithë kohës do të njihesha me miq të mirë. Jam i lumtur për këtë...”, kujton Mateo.
“Ethet e së premtes”
“’Ethet e së premtes’, nuk do t’i harroj kurrë. Ishte viti 2005. Nuk ishte e pakët të punoje me njerëz profesionistë si Alfred Kaçinari, Shpëtim Saraçi, e të tjerë. ‘Ethet e së premtes’ ishin një shkollë e madhe. Vërtet mësoje nga ana profesionale, por në të njëjtën kohë ishte dhe një përvojë e vërtetë jetësore. Ditët e seleksionimit ishin edhe më drithëruese. Numri i pjesëmarrësve shkonte në 500 veta, por tashmë pas çdo jave numri ynë bëhej edhe më i vogël. Gjithkush mendonte se mund të qëndronte deri në fund, por që të gjithë kishin edhe frikën e seleksionimit. Ankthi ishte i përhershëm. Nga të gjithë ne bëheshin përpjekje maksimale. Deri atëherë kisha fituar disa çmime në festivale fëmijësh dhe kisha kënduar çdo natë te ‘Skena Park’, por tashmë lufta ishte edhe më e fortë. Kërkohej më i miri. Konkurrenca ishte e pashmangshme. Kaluan javë të tëra. Seleksionimi po merrte fund. Unë këndoja këngën e Frederik Ndocit, ‘Pranvera me një lule s’vjen’. Me atë këngë pata fat. Këndova dhe vura re që kënga ime u pëlqye. Në atë konkurrim zura vendin e tretë. E rëndësishme ishte që konkurrimit i qëndrova deri në fund. Fatmirësisht po shkoja drejt ëndrrës time. Gjithnjë kisha ëndërruar të këndoja në festivalet e Radiotelevizionit Shqiptar dhe kjo u bë një realitet. Me këngën e Shpëtim Saraçit ‘Ti engjëll, unë Promete’, mora pjesë në festivalin e Radiotelevizionit Shqiptar të vitit 2005. Në vitin 2007, po në këtë festival do të këndoja këngën ‘Testament dashurie’. E këndova së bashku me Andi Çuedarin. Tashmë po e kuptoja se para meje shtrihej një udhë e gjatë dhe e mundimshme, të cilës duhej t’ia dilja mbanë. Shpresoj që përsëri të jem pjesëmarrës në festivalet e Radiotelevizionit Shqiptar”, nuk e fsheh dëshirën Mateo Frroku.
“Këngët e shekullit”
“Edhe përvojën te ‘Këngët e shekullit’ nuk do ta harroja kurrë. Tashmë isha 17 vjeç. Bashkëpunimi im me kompozitorin Adrian Hila, Pandi Laço, Blendi Laço, më ndihmoi shumë. ‘Këngët e Shekullit’ ishin një program mjaft i rëndësishëm. Merrnin pjesë këngëtarët më të mirë dhe kjo nuk ishte pak. Më besuan 20 këngë. Për realizimin e këtij programi na u desh të qëndronim te “Shtëpia e Artistëve” për 12 javë me radhë, ku çdo ditë ishte një shkollë e vërtetë. Këngët ‘Mos qaj’, ‘Vetëm 5 minuta’, ‘Pesha e fatit’, të cilën e këndova me Stefan Priftin dhe Evis Mula, por edhe këngë të tjera do të ishin disa nga këngët e mia në atë program aq të madh. Sot më vjen mirë që ‘Këngët e Shekullit’ është disku më i shitur. Tashmë në treg ka shumë rryma këngësh, por gjithsesi gjithnjë shfaqet një shenjë se nga duhet të vështron. ‘Këngët e shekullit’ mbeten si të tilla. Sigurisht koha ecën dhe këngëtari duhet të orientohet drejt. Unë nuk bëj pjesë te kritizerët. Për mua çdo lloj këngë ka vlerat e saj, por ai që zgjedh është publiku. Nëse je i zgjedhur prej tij, je në rrugën e duhur, kështu mendoj unë, sepse tjetër gjë është një këngë komerciale e tjetër gjë një këngë e vërtetë profesionale. Gjithsesi ndoshta do të duhet edhe pak kohë deri sa kënga shqiptare bashkëkohore të hyjë në shtratin e vet. Për mua tashmë e rëndësishme është të menaxhoj vetveten, të jem i pranishëm në aktivitete, të kërkoj gjithnjë anën profesionale, të kem bashkëpunime të vazhdueshme me kompozitorët më të mirë, të më besojnë këngët e tyre e unë të di t’i prezantoj ato. Vetëm kaq. Sigurisht që të bëhesh këngëtar, ashtu si në çdo profesion tjetër, nuk është e lehtë. Ndoshta krahasimi im nuk është i goditur, por unë do thosha se ashtu si Prometeu që u rezistoi të gjitha mundimeve, nga të gjithë ne kërkohet i njëjti përkushtim. Shpesh i sjell krahasimet me Prometeun, sepse kënga ‘Ti engjëll, unë Promete’ më pëlqen shumë”, përfundon ai, duke shtuar se gjatë gjithë verës do të jetë i pranishëm në mjaft koncerte.
Nga skena e Pogradecit
“Mateo në koncert”, jo vetëm sukses
Ndoshta biseda me Mateo Frrokun nuk do të ishte realizuar nëse disa ditë më parë nuk do të ishim ndodhur në qytetin e Pogradecit. Ndërsa gjendeshim atje vumë re se njerëzit flisnin për një koncert, i cili titullohej “Mateo në koncert”.
Disa vajza ankoheshin se nuk kishin gjetur dot bileta. E njëjta gjë thuhej edhe nga të tjerë. Atë çast morëm vesh se biletat ishin shitur dy ditë më parë. Nuk ka ndodhur kurrë më parë kështu, thoshin ata. Deri më sot sallat e koncerteve kanë qëndruar të zbrazura. Kjo që po ndodhte në qytetin e Pogradecit na la mbresa dhe u munduam të shkonim atje. Mundëm të hynim brenda vetëm kur dyert u hapën.
Fati ynë ishte të qëndronim në këmbë në rreshtin e fundit të mjediseve ku jepej koncerti i Mateo Frrokut.
Historinë e tij e mësova pikërisht aty. Më kishte rënë rasti ta shihja te një koncert i madh, organizuar me rastin e marrjes së ftesës për në NATO. Aty pash që ndërsa ai këndonte gjithë moria e njerëzve lëkundej si një dallgë deti që largohej dhe afrohej me ritmin e këngës.
Tashmë po e shihja për herë të dytë.
Kur salla ishte entuziazmuar njerëzit nisën të thërrisnin “Bravo Mateo”. “Faleminderit Mateo”. “Je i mrekullueshëm Mateo”.
Që të gjitha këto na bën të ndaleshim për të realizuar një bisedë me të. E vërteta është se pamë një djalë tepër modest që premton shumë.
V.Hasani
|