09-19-08
|
Opsione |
|
|
|
| Article by:
gazeta metropol
| |
|
|
|
|
| Sistemi i ri arsimor, i cili tashmë është në 9+3 në rrethin e Korçës ka nisur pa probleme. Parapërgatitjet e filluara që nga tetori i vit të kaluar bën të mundur që të gjithë mësuesit të sistemohen në punë, në një kohë kur mendohej se shumë prej tyre do të ishin të rrezikuar. Gjithkush prej mësuesve që kishte dhënë mësim në vitet e para gjimnaz, (këtë vit nuk do të ketë vite të para) tashmë kanë kaluar në shkollat 9-vjeçare. Veç kësaj një kontingjent i ri mësuesish është marrë në punë për dhënien e lëndës së re informatikës, në shkollat 9-vjeçare. Ndërkohë janë siguruar të gjitha ambientet e nevojshme për zhvillimin normal të procesit mësimor. Vetëm në 4 shkolla të qytetit të Korçës do të funksionojë sistemi i turneve dhe mbi 90% e mësuesve janë të profileve përkatëse. Të gjitha këto flasin për një vit të ri shkollor pa probleme. Gjithsesi cilat ishin masat e marra dhe si u kaluan problemet me të cilat do të përballej startimi i një sistemi të ri arsimor, i sjell për gazetën “Metropol” drejtori i Drejtorisë Arsimore rajonale Andrea Mano…
Filloi viti i ri akademik, a mund të na thoni me çfarë problemesh u përballët ditën e parë të shkollës?
Sigurisht që nga shumëkush është menduar se sistemi i ri arsimor do të përballej me probleme të shumta, duke filluar që nga sistemi i mësuesve nëpër shkolla, a do të ishte e mundur të punësoheshin që të gjithë, a do të siguroheshin ambientet e nevojshme, a do të ishin mësuesit brenda profilit të tyre, a do të merreshin në punë mësues të rinj, pasi për këta të fundit kishte shumë pak shpresa, por edhe pyetje të tjera të tilla si, nëse do të zhvillohet mësimi me turne, a do të sigurohet energjia elektrike, po lënda djegëse për ngrohje, si do të jetë ngarkesa e nxënësve për çdo klasë, a janë realizuar investime shtesë për ngritjen e shkollave të reja dhe shumë pyetje të tjera si këto. Sigurisht që të gjitha shqetësimet ishin të drejta. Tashmë gjithkush konstatoi se sistemi i ri arsimor nisi pa asnjë problem. Megjithatë, mund të them se asgjë nuk ka qenë e rastësishme, parapërgatitjet për këtë sistem të ri arsimor, i cili ka përparësi të shumta në krahasim me sistemin e vjetër, kishin filluar që nga muaji tetor i vitit të kaluar. Ajo çka mund të them aktualisht ka të bëjë me faktin se vetëm në 4 shkolla procesi mësimor do të zhvillohet me dy turne. Këto shkolla do të jenë: “Sevasti Qiriazi”, ‘Mësonjëtorja e parë shqipe”, ‘Sotir Gura” si dhe shkolla “Asdreni”. Gjithsesi sistemi i turneve ka funksionuar edhe më parë, çka do të thotë se asgjë nuk është vështirësuar.
Mendohej se mësuesit e gjimnazeve do të ishin të rrezikuar, pasi këtë vit nuk do të kishte vite të para, a ka mbetur i papunë ndonjë mësues?
Nga ana e Drejtorisë rajonale të Arsimit njiheshin që të gjitha këto probleme, pasi reformat e ndërmarra, të cilat sollën ndryshimin e sistemit arsimor nga 8+4 në 9+ 4, në të njëjtën kohë do të sillnin probleme dhe vështirësi, por që gjithsesi nuk ishin të panjohur për ne. Është e vërtetë që sistemimi i mësuesve të shkollave të mesme përbënte një shqetësim real, sepse e kishim të qartë që një numër mësuesish do të na binin. Në fakt nuk ndodhi kështu. Për hir të ndryshimit të ndodhur në sistemin arsimor ata kaluan në shkollat 9-vjeçare. Askush nuk mbeti i papunë dhe ky përbën një lajm pozitiv. Ndodhi kështu sepse patëm një planifikim shumë të mire, pasi na u desh të parapërgatiteshim që një vit më parë. Tashmë mund të deklaroj se të gjitha shkollat janë pajisur me numrin e nevojshëm të mësuesve. Madje jo vetëm kaq, në të gjitha shkollat mbi 90% e mësuesve janë të profileve përkatëse. Veç kësaj janë marrë në punë edhe mësues të rinj, pasi me futjen e lëndës së re, Informatikë, në shkollat 9-vjeçare, një gjë e tillë u bë e domosdoshme dhe kjo ishte shumë e mirë, pasi u erdhi në ndihmë mësuesve të rinj.
Tashmë me kthimin e sistemit arsimor nga 8+4 në 9+3, shkollat 9-vjeçare do të kenë nxënës më shumë, cila do të jetë ngarkesa për çdo klasë?
Është e vërtetë që shkollat 9-vjeçare këtë vit do të kenë nxënës më shumë nga sa kanë patur në vitet e mëparshme, sepse tashmë shtohet edhe një vit. Nga llogaritjet tona rezultoi se çdo shkollë duhej të kishte 3-4 klasa më tepër nga ato që i ishin nevojitur deri më sot. Për këtë arsye na u desh të mendonim për sigurimin e ambienteve të tjera shtesë. Nëse nuk do të ishte menduar që një vit më parë, tashmë kjo do të kishte qenë e pamundur, por e vërteta është se edhe në këtë drejtim u morën masat përkatëse. Tashmë është duke përfunduar një shkollë e re, por ndërkohë në shkollën “Sevasti Qiriazi” u investua për zgjerimin e ambienteve të saj. Që të gjitha këto bën të mundur t’i përgjigjen realisht numrit të nxënësve në shkollat 9-vjeçare. Ngarkesa e nxënësve për klasë do të jetë ajo që ka qenë edhe gjatë vitit të kaluar. Nëse do të lind ndonjë problem kjo do të zgjidhet në ditët në vijim, por deri më sot mund të themi se gjithçka ka shkuar mbarë.
Ju pohuat se në 4 shkolla do të zhvillohet mësimi me turne, sa të sigurt jeni se nxënësit nuk do të përballen me mungesën e energjisë elektrike dhe ngrohje?
Edhe ky shqetësim mbetet një problem real. Aktualisht ky problem nuk ekziston, por mund të ndodhë në të ardhmen ose jo. Kjo nuk ka rëndësi. Ne si Drejtori Arsimore duhet të jemi të parapërgatitur edhe për këtë situatë. Për këtë arsye kemi kontaktuar dhe po bashkëpunojmë jo vetëm me pushtetin lokal, por edhe me KESH-in me qëllim që ky i fundit të mos planifikojë ndërprerje në shkollat ku procesi mësimor do të zhvillohet me turne. Të njëjtën gjë kemi bërë edhe me pushtetin vendor, i cili siguron ngrohjen e klasave me dru apo me lëndë djegëse. Nga të dy palët kemi marrë garanci se do t’u përgjigjen kërkesave tona dhe do t’i plotësojnë ato. Kemi besim se ky vit do të jetë mjaft i mbarë, sepse edhe gjatë vitit të kaluar patëm rezultate të mira në arritjet e maturës, jemi në vendin e parë si rreth për sa u përket kabineteve të informatikës me 45 të tilla, por ndërkohë është investuar mjaft për infrastrukturën arsimore dhe realizimin e qëllimit të reformës.
|