Katër objekteve monument kulture në qytetin e Korçës u ka ardhur radha për t‘u rifreskuar. Do të jetë ndërhyrja restauruese që do t‘u japë një fytyrë të re katër prej objekteve të njohura të trashëgimisë sonë kulturore në juglindje të vendit. Me vlera historike, të vjetra dhe të kaluara përmes shekujsh, këtë herë është planifikuar që objektet e shpallura monument kulture dhe të cilat nuk kanë pasur ndërhyrje në vitet e fundit, të plotësohen me investime për të ruajtur të gjalla karakteristikat dhe veçoritë e tyre, por edhe për t‘i mirëmbajtur nga dëmtimi. Bëhet fjalë për restaurimin e arkitekturës së kishës së vjetër shekullore të Ristozit në fshatin Mborje, godinën e Muzeut Arkeologjik, shtëpinë-muze të Piktorit të Popullit, Vangjush Mio, dhe plotësimin me restaurime në fazën e dytë të pazarit karakteristik të qytetit të Korçës. Drejtori i Monumenteve të Kulturës, Dhori Theodhori, thotë se këtë vit janë parashikuar investime në ato objekte të trashëgimisë të cilat nuk kanë pasur ndërhyrje. Kështu, në kishën e Ristozit është punuar për restaurimin e afreskeve gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që për shkak të vjetërsisë së objektit ka nevojë për kryerjen e punimeve në pjesën arkitekturore të këtij objekti kulti. Të reja për këtë vit do të jenë projektet për të parën herë për shtëpinë muze të Mios dhe godinën e muzeut arkeologjik, ndërkohë që pas fazës së parë të restaurimit të fasadave të dyqaneve të pazarit, do të vazhdojë kompletimi i anës arkitekturore me elementët që ruajnë anën tradicionale të tij. "Këto janë objekte me vlera historike, kulturore dhe të trashëgimisë sonë të pasur. Katër objektet janë të parat për këtë vit ku do të zbatohen projektet tona me investim të buxhetit të shtetit dhe synojnë të ruajnë vlerat që kanë këto pasuri. Zbatimi i tyre do të realizohet në gjashtë muajt e këtij viti, ndërkohë që pritet të aprovohen edhe projekte të tjera. Gjatë vitit të kaluar janë restauruar dhe kryer ndërhyrje me investime në tetë objekte të rëndësishme. Kanë qenë kryesisht objekte të vjetra të kultit. Kështu, me një investim prej 30 milionë lekësh janë restauruar kishat e Voskopojës, Vithkuqit, Ura e Shën Prodhimit, Xhamia Iljaz bej Mirahori etj. Ndërsa këtë vit për katër projektet është aprovuar një fond prej 15 milion lekësh", tregon drejtori i Monumenteve të Kulturës. Sipas tij, Korça ka objekte të shumta të cilat kanë nevojë për ndërhyrje, por janë përzgjedhur ato të cilat kanë edhe nevojat më emergjente për kryerjen e restaurimeve përkatëse.