02-01-09
Fisnikëria nuk është thjesht kategori subjektive, dhe as objektive. Ajo është kompleksiteti i vlerave njerëzore, prej të cilave merr kuptim jeta, dashuria, humanizmi, dinjiteti, trashëgimia, prosperiteti, liria dhe cilësia e jetës në komunitet. Fisnikëria dhe shqiptaria janë lidhur fort në një organizëm virtual, duke udhëtuar së bashku që nga ilirët, arbrit e deri me sot. Në rrugën e gjatë të kombit tonë vlerat prej të cilave janë frymëzuar brezat kanë kultivuar viganë të jetës publike, politike, artistike, ushtarake dhe humanitare. Familja e Kastriotëve i dha kombit shtetin për 25 vjet në krah të kombeve të tjera, ndaj dhe e vlerësojnë vazhdimisht si brenda dhe jashtë vendit, gjë për të cilën ne krenohemi. Fisnikëria, si tërësia e vlerave më të larta njerëzore, kultivohet dhe identifikohet në rrethana të vështira, fakt që haset veçanërisht në historinë e kombit tonë. E pushtuar për 5 shekuj, fisnikëria e trashëgoi, ruajti e kultivoi flamurin e Skënderbeut. I ruajtur brez pas brezi përmes një kodi zakonor dhe vetësakrifikimi. atij të besës dhe trimërisë, që bashkë me famën e Skënderbeut kultivuan identitetin tonë kombëtar, që rezultatin e dha në pavarësinë kombëtare. Mijëra burra e gra shqiptare u rritën, jetuan, luftuan dhe dhanë jetën e tyre në emër të identitetit kombëtar. Qenë fisnikët e kombit ata që shoqëruan Ismail Qemalin për afirmimin e pavarësinë në oborret e Europës: Isa Boletini nga Mitovica dhe Sulo bej Çeprati nga Vlora. Ja si këndohej porosia e Ismail Qemalit: “Dua nja dy djem fisnikë, që të merren me tregti, të jenë trima e të zgjuar, që të mos ua hedh njeri. Dhe po qe se vdes andej, do të më sjellin në Shqipëri…”
Gjej rastin nga ky tubim për t’u bërë thirrje Presidentit Sejdiu dhe kryeministrit Thaçi që eshtrat e të madhit Isa Boletini duhet të prehen në Mitrovicë, pranë Kullës së tij, prej nga ai u nis si shqiponjë drejt Londrës, ku i tregoi diplomacisë botërore se fisnikët shqiptarë, edhe pse pa universitete europiane apo akademi ushtarake perëndimore nuk i çarmatoste dot diplomacia botërore, sepse luftonin për mbrojtjen e kombit. Qenë fisnikët ata që nën udhëheqjen e mendjendriturit Ahmet Zogut i dhanë kombit shtetin e parë ligjor, ku sundonte drejtësia paqja, konkurrenca e lirë, demokracia, kohë në të cilën u kultivuan vlerat më të larta të gjenezës shqiptare, ku u standardizuan vlerat ligjore dhe shtetërore ndërkombëtare e perëndimore.
Nuk mund të harrohen kontributet e familjeve të mëdha fisnike në mbrojtje të truallit amtar, që në këtë konferencë të parë nuk mund t’i përmend dot të gjithë: Luarasi e Butka, (Kolonjë); Qiriazi e Gërmenji ( Korçë); trashëgimtarët e Arianitëve (Vranajt); Kokoshi, Sharra, Xhyheri, Gjonzeneli, Ahmet Lepenicës, Pashaj, Qataj, Agaj, Shaskaj (Vlorë); Delvina e Kasimati (Delvinë); Topulli, Dosti, Kokalari, Harshova (Gjirokastër); Alia, Xhilaga, Karasani, 9 malet e Dibrës, Markagjoni ( Mirditë); Toptani, Petrela, Mulleti, (Tiranë); Kupi, Merlika (Krujë); Sokoli, Kazazi, Çoba, Lluja, Myftia, Koliqi, HasanI, Isufi (Shkodër); bajraktarët e Shoshit, Hotit, Nikaj-Mërturit, Krasniqes (Mirditë); Vrioni në Fier; Vërlacët, Biçakçinjtë, Xhuvanët, Dodbibët (Elbasan); Spahiu, Bajraktari, Lita (Kukës); Hekali, Fratari, Klosi (Mallakastër); Myshketa e Deliallisi (Durrës); Boletini, Prishtina, Pejani, Mitrovica, Kryeziu e deri te familja Jashari, familja legjendare me heroin, mit i termopileve shqiptare, që u bë shembull në të gjithë Europën për sakrificën në mbrojtje të lirisë, kurse në Çamëri janë Dino, Prronjo, Murati, Demi, Mazreku e Plaku. Mirënjohje dhe respekt elitës së kombit.
Shumë janë ata që kanë identifikuar vlerat autentike dhe tipike të kombit shqiptar, si Bajroni, i cili i quan “bijtë e Iskanderit, bijtë e shqipes”, por janë shumë edhe ata që e kanë luftuar kombin dhe identitetin tonë pikërisht në pikën më të fortë e konkretisht në masakrimin e dhunën ndaj familjeve dhe bijve fisnikë të tij.
Kombit tonë s’i mjaftonin pushtimet e gjata, por si një hije e zezë u huajt komunizmi, duke shkatërruar e masakruar fisnikërinë kombëtare, ata që mbajtën dorë më dorë e brez pas brezi flamurin, identitetin, vlerat më të larta të historisë sonë. Filozofia e dhunës dhe e antivlerës nuk mund të jetonte në paqe me vlerat e fisnikërisë shqiptare. Ndaj dhuna do të ishte arma dhe metoda e realizimit të pushtimit dhe sundimit komunist. Dhuna çnjerëzore filloi me pushkatime, burgosje dhe internime të fisnikëve shqiptarë.
Sot për të gjithë ne është një ditë e madhe, është dita kur ne i kthehemi historisë së vërtetë dhe merremi me të ardhmen. Të parët tanë na kanë lënë shumë pasuri shpirtërore dhe morale, të cilën e vlerësojnë kombet më të mëdha e të qytetëruara të botës. Është nën përgjegjësinë tonë historike, është njësi matëse e vlerave të pamohueshme tona për t’i ridhënë kombit fisnikërinë e mohuar në çdo tregues të jetës: në atë social, kulturor, politik dhe institucional. Çdo qelizë shoqërisë te ne duhet të udhëhiqet e të frymëzohet nga fisnikëria, nga ato vlera, ideale e virtyte humane për të cilat ka nevojë të ushqehet shteti demokratik, shteti i së drejtës. Elita historike e kombit, duke njohur si pikë referimi vlerat më të larta njerëzore, e ka parë Shqipërinë në përkatësinë e vet europiane në çdo aspekt të jetës dhe veçanërisht në aspektin politik. Orientimi perëndimor i kombit, mendimi dhe filozofia e jetës së fisnikëve në mënyrë të vazhdueshme kanë bërë të mundur ruajtjen e marrëdhënieve me kombet e mëdha dhe të nderuara të botës, me kombet që sot më shumë se kurrë janë pranë Shqipërisë sonë në aspektin e integrimit tonë. Mirënjohje dhe respekt fisnikëve të kombit!
Ndaj sot, siç na tregon historia, lind thirrja e madhe për t’i dhënë më të mirën tonë këtij kombi, këtij shteti, demokracisë, drejtësisë dhe paqes sociale. Por kjo kërkon angazhim dhe pjesëmarrje, gjithëpërfshirje aktive në të gjitha aspektet e jetës. Ashtu si gjithherë, fisnikëria ka qenë në krye të proceseve historike të zhvillimit social-politik, edhe sot është e nevojshme dhe e domosdoshme për të qenë në krye të integrimit dhe zhvillimit kombëtar. Është përgjegjësi e gjithkujt prej nesh për t’i bërë shërbim kombit, me angazhimin e vet politik dhe institucional, në këtë kohë të rëndësishme, ku kombi ynë po ngrihet krahas me kombet europiane për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, për të qenë i barabartë në vlera me kombet e Bashkimit Europian. Historia na ka treguar se fisnikëria Shqiptare u ka dhënë udhëheqës të shquar edhe vendeve të tjera, duke filluar nga Perandoria Romake, Vatikani, ajo Perandoria Bizantine, Osmane e deri në kohët më të vona. Fisnikëria shqiptare ka shkëlqyer në Greqi, Turqi, Rumani, me kryeministra që i kanë shpëtuar këto kombe dhe i kanë qytetëruar. Këto personalitete i gjejmë përmes dokumenteve në Perandorinë Romake, Perandorinë Osmane, Egjipt etje. Shkëlqimi i Marko Boçarit vlen si frymëzim, krenari dhe na ngarkon me një përgjegjësi më të lartë për të bërë maksimumin për daljen në dritë të këtyre vlerave të mëdha, shumica e të cilave të lëna në harresë. Ne e dimë tashmë mjaft mirë se fisnikëria shqiptare ka lulëzuar në Amerikë, duke u bërë një zë i fuqishëm në gjirin e një kombi të madh, një kombi që si askush tjetër ka mbështetur Shqipërinë në kauzën e lirisë, demokracisë dhe prosperitetit kombëtar.
Është e vështirë të identifikosh me pak rreshta atë që fisnikët shqiptarë kanë kultivuar në shekuj, por është thjesht një përkufizim i asaj që të gjithë ne e ndiejmë se ekziston, e asaj që ne e dimë se kështu është, se fisnikëria e ka gjallëruar këtë komb, se ajo e bën atë më krenar, më të fortë e më madhështor. Besoj se kjo është dëshira e çdo shqiptari fisnik. Për të gjitha këto del domosdoshmëri që politika shqiptare të jetë e orientuar, e frymëzuar edhe nga këto vlera. Komunizmi e zhduku këtë raport të natyrshëm të shoqërisë shqiptare me shtetin. Por dekomunizimi i shoqërisë shqiptare kërkon patjetër kthimin e vlerave të fisnikërisë. Në emrin tuaj dua t’i bëj të ditur faktorit politik se pa përfshirjen dhe pjesëmarrjen e këtyre familjeve të mëdha fisnike në jetën politike dhe shoqërore në të gjitha sferat: politike, ekonomike, gjyqësore, ekzekutive e sociale, ne do të jemi tepër të vonuar, siç kemi qenë gjatë kësaj periudhe të gjatë tranzicioni në ndërtimin e demokracisë dhe ndërtimin e shtetit ligjor.
Fisnikëria është baza morale e shtetit që në krijimin e tij. E tillë është ajo në mënyrë të natyrshme, ndaj ne duhet ta konsiderojmë këtë fakt si një domosdoshmëri shtetërore për të ndërtuar dhe për të pasur një komb dhe një shtet mbi baza të shëndosha vlerash, se vetëm në këtë mënyrë do të jemi dinjitoz përpara qytetërimit perëndimor, vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë të përmbushim ëndrrat e fisnikëve shqiptarë që nga lindja e hershme e fisnikërisë në shek X-XI dhe më tej, nga koha e Skënderbeut, se vetëm në këtë mënyrë ne i sigurojmë të ardhmes garancinë më të çmuar. Kjo është konferenca e parë e familjeve të mëdha fisnike, ku s’ka dallime pozicionesh politike. Nga sot, çdo vit më 17 janar ne do të festojmë ditën e madhe të fisnikërisë shqiptare.
Kumtesë e mbajtur në konferencën kombëtare “Familjet e mëdha fisnike dhe domosdoshmëria e tyre në shtetin e së drejtës”
|