Emri i mbeti prej një familjeje rumune që jetonte aty, arkitektura nuk e lidh me Rumaninë. E kanë quajtur Shtëpia Rumune dhe gjendet në bulevardin kryesor të qytetit të Korçës. Ajo është një nga ndërtesat më karakteristike të qytetit të serenatave dhe pas një vendimi të bashkisë së qytetit tashmë ka nisur rikonstruksioni i saj. Ndërtesa më e veçantë nga pikëpamja arkitekturore ka përfituar një fond falë të cilit do të kryhet rikonstruksioni i pjesëve të dëmtuara të godinës. Përtej kësaj, dhe krahas ruajtjes së vlerave që mbart kjo ndërtesë, nga ana e Bashkisë së Korçës është menduar që Shtëpia Rumune të përshtatet në një qendër rinore. Në godinën e pozicionuar në qendër të qytetit, tashmë kanë nisur punimet, të cilat nuk do ta cenojnë aspektin arkitekturor të godinës, përveçse do të realizojnë një rifreskim të saj. Me një fond prej 6.5 milionë lekësh ka nisur ndërhyrja në këtë objekt ku do të kryhen rregullimet në çatinë prej llamarine, rikonstruksioni i brendshëm i ambienteve dhe ndërrimi i dyerve dhe dritareve. Ndërkaq, sipas të dhënave nga bashkia, me mbylljen e punimeve është parashikuar që ambientet e kësaj shtëpie të shfrytëzohen për aktivitete kulturore për rininë. "Shtëpia Rumune është një nga objektet e veçanta dhe karakteristike të qytetit. Prej kohësh këtu nuk janë kryer punime dhe as rikonstruksione të pjesshme. Krahas faktit se do të kryhen riparimet pa prekur fasadën dhe anën karakteristike të këtij objekti, këtë herë është menduar që të ambientet e shtëpisë të shfrytëzohen për aktivitete kulturore. Ideja është që ndërtesa të kthehet në një qendër rinore, ku të rinj të përzgjedhur të pajisur edhe me kartën e bashkisë ta shfrytëzojnë këtë ambient për aktivitete kulturore, për takime në partneritet me biznesin dhe shoqërinë civile, për kurse të ndryshme kualifikimi profesional etj.", ka thënë kryetari i bashkisë, Niko Peleshi. Shtëpia rumune edhe pse një nga ndërtesat më të veçanta në qytet me arkitekturë eklektike, me përzierje stilesh, nuk është shpallur monument kulture. Në vite nga mungesa e punimeve në të ka pasur edhe dëmtime, ndërkohë që një pjesë e ambienteve janë përdorur me qira për të pastrehët.