02-16-09
Të lidhura me emra të tillë si David Selenica apo vëllezërit Zografi, janë pjesë e kishave dhe monumenteve të kultit të zonës. Por për pikturat murale të Voskopojës dhe Vithkuqit duket se ka ardhur koha e rikthimit në qendër të vëmendjes dhe ruajtjes së tyre.
Një projekt për katalogimin e tyre do të bëjë të mundur inventarizimin dhe regjistrimin e këtyre pikturave sipas të gjithë parametrave shkencorë. “Ky projekt synon ndër të tjera njohjen dhe popullarizimin e kësaj pasurie me vlera të mëdha, që nuk i përket vetëm kësaj treve dhe komunitetit ortodoks, por mbarë trevave shqiptare“, - thotë Izet Duraku, drejtor i Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, që është edhe nismëtarja e këtij projekti, që i është paraqitur Ministrisë së Kulturës (MTKRS-së).
Që në vitet 20 të shekullit të kaluar Fan Noli, “ky apostull i humanizmit, i dijes dhe i ruajtjes së vlerave shpirtërore të trashëgimisë sonë“, siç e cilëson Duraku, kishte vënë re me shqetësim grabitjen e vlerave kulturore të kishave dhe të institucioneve fetare në Jug të vendit, veçanërisht gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore. Ushtri ndërluftuese, por edhe banda të stërvitura patën grabitur thesare të mëdha nga këto kisha, si ikona dhe ikonostase me vlera të jashtëzakonshme. Por nga këto kisha kishin mbetur pa u prekur ende pjesa më e madhe e pikturave murale të piktorëve të famshëm shqiptarë nga shek XVI në shek. XVIII. Piktorë të cilët “kanë bërë që këto kisha të shndërrohen vërtet në tempuj besimi, në tempuj drite, ku njerëzit shkonin me dëshirë dhe i afronin besimtarët me Zotin, njëkohësisht duke i ushqyer me mrekullinë e artit“. Duraku ende nuk mund të flasë për një numër të saktë të pikturave murale, ikonave dhe ikonostaseve që do t´i nënshtrohen katalogimit pa shqyrtuar më parë çdo skenë, çdo pikturë e çdo motiv të trajtuar tek to.
Por ai vëren se vetëm në njërën prej këtyre kishave, ajo ku shërbeu dhe pikturoi David Selenica, ka një mijë piktura të tilla, ndërkohë që numri i tyre mund të jetë dhjetëra herë më i madh, nëse kemi parasysh se në Qarkun e Korçës ka më shumë se 26 kisha të këtij tipi.
Dëmtimet
“Janë monumente kulture të kategorisë së parë dhe mund të themi se kjo pasuri është shumë e madhe“, - vijon Duraku, ndërsa shton se fatkeqësisht pikturat murale kanë qenë të dëmtuara në kohë, kryesisht për shkak të pakujdesisë. Madje, periudha më fatale për to nuk ka qenë periudha e Luftës së Dytë Botërore, por periudha kur shteti komunist ndërmori një betejë me kultet dhe kur e shpalli veten si shtet ateist. “Institucionet e kultit, megjithëse ishin monumente kulture të shpallura të tilla që herët, u shndërruan në stalla e ahure, ku ruheshin bagëtia dhe ushqimi i tyre. Por u shndërruan dhe në magazina, ku futeshin prodhimet bujqësore, duke i lënë në mëshirë të fatit e duke mos pasur asnjë kujdesje“, - thotë Duraku. Dëmtimi i skajshëm në një pjesë të kishave bëri që muret e tyre të shembeshin e prisheshin thuajse krejt e bashkë me ta të zhdukej edhe një pjesë e mirë e pikturave murale. “Sot të vjen keq kur sheh që shumë kisha të Voskopojës, ato që janë keqpërdorur nga ushtria dhe kooperativa janë shndërruar thjesht në mure të zhveshura, pa magjinë e pikturave të humbura përjetë, pasi nuk kanë qenë as të regjistruar dhe as të kataloguara“. Duke mos thënë një shumë të saktë për investimet financiare që kërkon katalogimi, Izet Duraku, thekson megjithatë se financiarisht shuma nuk është e madhe dhe është e përballueshme.
“Mjafton të shihen përparësitë dhe të gjykohet me përparësi kjo lloj pune. Ne do të shfrytëzojmë eksperiencën e specialistëve më të mirë të artit mesjetar në vend, me të cilët bashkëpunojmë prej kohësh. Përmes katalogimit bëhet më tepër kujdes në të ardhmen që këto objekte të njihen, të popullarizohen dhe t`i shërbejnë edhe një turizmi kulturor, në mënyrë që, kur të huajt të vijnë te ne, të shohin ato vlera që do të dëshironim t`i njihnin e që i përkasin gjithë njerëzimit e jo thjesht shqiptarëve“, - shton ai, ndërsa thotë se mendohet që katalogimi mund të realizohet brenda një periudhe të shkurtër, midis majit dhe qershorit.
|