Miratohet nga KRRT-ja e Qarkut të Korçës plani i përgjithshëm rregullues i Voskopojës. Ky plan përfshin një sipërfaqe prej 140 hektarësh të marrë në studim dhe sipas projektit synon zhvillimin e territorit dhe përmirësimin e infrastrukturës për ta bërë zonën më atraktive nga pikëpamja turistike, por edhe për të pasur një fshat turistik të sistemuar nga pikëpamja urbane dhe arkitekturore dhe me infrastrukturë të përshtatshme, me rrugë të sistemuara, furnizim me ujë dhe me një sistem të ri kanalizimesh nëntokësore. Studimi ka përfshirë këtë sipërfaqe prej 140 hektarësh si qendër historike të Voskopojës ku bëjnë pjesë edhe monumente të kulturës, që do t‘i nënshtrohen restaurimit. Për të gjitha aspektet e studimit mbi planin e përgjithshëm rregullues është marrë parasysh edhe mendimi i specialistëve të fushave përkatëse dhe pushtetit lokal. Sipas kryetarit të KRRT-së së Qarkut të Korçës, Ilo Milo, ky plan i miratuar tashmë me vendim të këshillit përfaqëson një nga projektet me të rëndësishme për këtë vit për zonën turistike të Voskopojës dhe që është pjesë e masterplanit të këtij fshati turistik. "Studimi ka për qëllim të ruajë aspektet kulturore dhe historike dhe sjell nga ana tjetër një rregullim të territorit dhe infrastrukturës, që do të ketë një ndikim të madh në zhvillimin urban dhe turistik të zonës. Është projekti më i rëndësishëm i miratuar për këtë vit që përshin qendrën historike të fshatit Voskopojë", tha Milo. Plani i përgjithshëm rregullues përfshin mbrojtjen e monumenteve të kulturës, ruajtjen e vlerave kulturore dhe historike, zhvillimin urban të territorit, zhvillimin turistik dhe rregullimin e infrastrukturës së brendshme. Brenda këtij viti parashikohet të përfundojë ndërtimi i ujësjellësit të ri të fshatit dhe rrjeti i kanalizimeve, ndërkohë që pas këtyre ndërhyrjeve në infrastrukturë do të kryhet edhe shtrimi i rrugëve me kalldrëm, gjë që është parashikuar për vitin e ardhshëm, pas mbylljes së punimeve në rrugët ku do të bëhet hapja për kanalizimet e reja. Pas miratimit nga ana e KRRT-së së qarkut, plani i përgjithshëm rregullues i Voskopojës do të kalojë për miratim në KRRTRSH.