Nxënësit e shkollave janë shndërruar në nismëtarë të një lëvizjeje për të mbajtur pastër mjedisin. Ata kanë nisur të nxisin eksperiencën e riciklimit të mbetjeve, veçanërisht atyre plastike, që janë tejet të rrezikshme për shëndetin e njeriut kur digjen. Ato janë shndërruar në një problem të pazgjidhshëm edhe për shkak të faktit se shkatërrimi i tyre është i vështirë. Sipas specialistëve, ato mund të qëndrojnë në mjedis për dekada të tëra pa u shkatërruar, por vetëm duke shkaktuar ndotje.
Ditëve të hëna, nxënës të shkollave të Tiranës, Korçës, Durrësit, Lezhës dhe Shkodrës do të grumbullojnë në një kontejner të posaçëm mbetje plastike si shishe, qese, apo ambalazhe me këtë material. Përmes një memorandumi të nënshkruar me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Mjedisit, grupimi "Ekolëvizja" po vë në jetë projektin "Shqipëria ime e pastër dhe e bukur", mundësuar nga UNICEF. Ky projekt është pjesë e programit të UNICEF-it "Iniciativa për edukimin mjedisor, orientuar nga fëmijët".
Aty parashikohet bashkëpunimi me fëmijët e disa shkollave për të ndikuar në familjet dhe komunitetet e tyre, me synimin për t‘i mobilizuar që të gjenerojnë mbështetje publike për të ndryshuar sjelljen ndaj mjedisit. Synimi është që mjedisi të ruhet i pastër, duke depozituar mbetjet plastike, shishet dhe materialet e tjera për t‘i ricikluar. Gjithashtu, si objektiv kryesor është konceptuar edhe përmirësimi i mirëqenies së fëmijëve dhe sigurimi i të drejtës së tyre për standarde të larta të kushteve mjedisore në Shqipëri (si pjesë edhe e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve), duke parandaluar degradimin e mëtejshëm mjedisor të vendit dhe mjedisit tonë.
Promovimi i sjelljes pozitive ndaj mjedisit, mobilizimi i komuniteteve dhe shkollave, hartimi i një programi zhvillimi që do të lidhë shkollat me institucionet e qeverisjes lokale, me bizneset dhe me komunitetet, që të ndihmojnë të gjithë së bashku në mirëmbajtjen e mjedisit janë disa nga sfidat me të cilat përballen organizatorët e këtij projekti. Sipas tyre, është mjaft e rëndësishme që të gjithë fëmijët në shkollat e përzgjedhura dhe më tej, së bashku me familjet, prindërit, mësuesit dhe komunitetin e tyre të informohen dhe edukohen plotësisht për rrezikun e madh që shkaktojnë mbetjet, shishet dhe materialet plastike në mjedis. Ata duhet gjithashtu të kuptojnë procesin përmes të cilit grumbullimi dhe riciklimi i materialeve plastike do të kontribuojë për një mjedis më të mirë.